Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dalë me një komunikatë për media në lidhje me rastin e kanosjes ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj nga ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gani Geci.
Në njoftim, thuhet se sipas dyshimeve “i dyshuari G.G., ka kanosur gazetarin L.M., për shkak të ushtrimit të detyrës dhe profesionit të tij”.
Prokuroria ka bërë me dije se janë intervistuar Mehmetaj dhe Geci në lidhje me rastin.
Komunikata:
Prokuroria Themelore në Prishtinë ndalon të dyshuarin për kanosje ndaj gazetarit L.M
Prishtinë, 13 Tetor 2026 – Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin publik se, me urdhër të Prokurorit kujdestar, është ndaluar për 48 orë një person me inicialet G.G., për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale ‘’Kanosja’’, nga neni 181 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas dyshimeve fillestare, i dyshuari G.G., ka kanosur gazetarin L.M., për shkak të ushtrimit të detyrës dhe profesionit të tij.
Në kuadër të veprimeve hetimore, janë intervistuar i dëmtuari L.M., dhe i dyshuari G.G. me qëllim të grumbullimit dhe mbledhjes së informatave relevante lidhur me rastin. Gjithashtu, Prokurori i çështjes ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave dhe sigurimit të provave relevante për zhvillimin e procedurës së mëtejshme.
Prokuroria Themelore në Prishtinë mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e gazetarëve dhe garantimin e sigurisë së tyre, si dhe në respektimin e plotë të lirisë së shprehjes.
#KeshilliProkurorialKosoves #KeshilliProkurorial #ZyraKryeprokuroritTeShtetit #ProkuroriaThemelorePrishtinë
Çka dihet për rastin?
Gazeta Nacionale raportoi se ish-deputeti i LDK-së ishte shoqëruar mbrëmjen e kaluar nga Policia, pasi kishte shkuar në ambientet e Televizionit Dukagjini, ku gazetari Lirim Mehmetaj po zhvillonte një debat me deputetin e PDK-së, Përparim Gruda.
Në fund të emisionit “Debat Plus”, autori i tij, Ermal Panduri, e kishte njoftuar Mehmetajn se dikush nga familja Geci kishte ardhur në televizion dhe po e priste jashtë. Ndërkohë, në oborr ndodhej edhe Policia e Kosovës.
Më pas, Mehmetaj ka treguar se një ditë më parë ishte kërcënuar nga familja Geci. Sipas tij, kjo kishte ndodhur pas një postimi kritik ndaj deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci.
Duke dhënë detaje për rastin, Mehmetaj ka deklaruar se ishte kontaktuar nga anëtarë të familjes Geci, të cilët, sipas tij, i kishin kërkuar ta hiqte shkrimin.
“Prej familjes Geci mua më kanë thirrë, më kanë thënë me hjekë postimin. Unë i kam thënë jo”, ka deklaruar Mehmetaj.
Ai ka treguar se, pas një takimi në zyrën e tij, kërkesa për heqjen e postimit ishte përsëritur. Sipas tij, atij i ishte kërkuar edhe ndryshimi i përmbajtjes, por ai kishte refuzuar.
Mehmetaj ka deklaruar se gjatë takimit kishte pasur kërcënime, të cilat më pas i kishte raportuar te organet e rendit.
“Në mëngjes kam shku në polici, e kam njoftu rastin”, ka deklaruar ai, duke theksuar se kishte zgjedhur rrugën institucionale për ta trajtuar çështjen.













