Kompania ajrore me kosto të ulët Wizz Air po redukton kapacitetet e planifikuara për sezonin dimëror 2026/2027, duke shkurtuar të paktën 5 për qind të fluturimeve të planifikuara, në përgjigje të rritjes së kostove operative dhe pasigurive në industrinë e aviacionit.
Ndryshimet do të prekin edhe disa tregje të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Beogradin, Shkupin, Tuzllën dhe Prishtinën.
Në Beograd, Wizz Air do të pezullojë përkohësisht fluturimet drejt Madridit nga 8 janari deri më 29 mars. Linja do të vazhdojë të operojë tri herë në javë gjatë nëntorit dhe dhjetorit, përpara se të ndërpritet përkohësisht gjatë muajve të dimrit.
Kjo linjë u inaugurua më 28 tetor të vitit të kaluar dhe konkurron drejtpërdrejt me kompaninë Air Serbia. Gjatë periudhës janar-gusht, Wizz Air transportoi 45.137 pasagjerë në këtë linjë, me një nivel mesatar të mbushjes së ulëseve prej 90,8 për qind.
Përveç Madridit, reduktime të frekuencave priten edhe në disa linja të tjera nga Beogradi, kryesisht nga janari deri në mars. Ndër destinacionet e prekura janë Dortmundi, Beauvais, Bergamo dhe Barcelona. Gjithashtu, kompania do t’i ndërpresë fluturimet mes Beogradit dhe Friedrichshafenit në përfundim të sezonit veror.
Në Shkup, kompania do të pezullojë fluturimet drejt Larnakës për të gjithë sezonin dimëror. Fluturimi i fundit është planifikuar për 23 tetor, ndërsa shërbimet pritet të rifillojnë më 31 mars.
Wizz Air nuk do ta operojë më as linjën Shkup–Lion, e cila tashmë është ndërprerë. Ndërkohë, reduktime të frekuencave do të ketë edhe në linjat drejt Baden-Badenit, Shtutgartit, Pragës, Madridit, Hamburgut, Friedrichshafenit, Barit, Stokholmit, Londrës Luton dhe Bolonjës. Në rastin e Bolonjës, fluturimet do të reduktohen në vetëm një herë në javë gjatë një pjese të sezonit dimëror.
Edhe në Tuzëll, Wizz Air do të pezullojë fluturimet drejt Larnakës gjatë sezonit dimëror. Shërbimet në këtë linjë pritet të rifillojnë më 30 mars.
Ndërkaq, në Prishtinë, kompania do të reduktojë frekuencat e disa linjave të reja, të cilat planifikohen të nisin në dhjetor. Fluturimet drejt Hahn-it, Hamburgut dhe Malmös do të realizohen dy herë në javë, në vend të katër herëve sa ishte planifikuar fillimisht. Edhe linja drejt Berlinit do të reduktohet nga tri në dy fluturime në javë.
Ndryshime do të ketë edhe për shkak të mbylljes së përkohshme të Aeroportit të Eindhovenit, në Holandë, nga 1 shkurti deri më 19 korrik të vitit të ardhshëm, për shkak të punimeve të mëdha në pistë dhe përmirësimeve infrastrukturore. Si pasojë, do të pezullohen fluturimet nga ky aeroport drejt Beogradit dhe Shkupit. Për linjën drejt Shkupit, nga 29 marsi fluturimet do të realizohen nga aeroporti i Mastrihtit.














