Pse shkoi ambasadori gjerman në Gjykatën Kushtetuese?
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph të premten e javës së kaluar shkoi në Gjykatën Kushtetuese.
Rudolph shkoi atje pa paralajmërim dhe për vizitën nuk pati ndonjë njoftim më pas.
Për vizitën nuk njoftoi as Gjykata Kushtetuese.
Ambasada e Gjermanisë në Kosovë dhe as Gjykata Kushtetuese nuk iu përgjigjën interesimit të Gazetës Express rreth kësaj vizite.
Rudolph u raportua të ketë qëndruar rreth një orë në Kushtetuese të premten.
Vizita e ambasadorit gjerman në gjykatën që është kontrolli më i lartë mbi pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv në Kosovë, erdhi vetëm tri ditë pasi Kosova i miratoi disa ndryshime në ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë dhe i shmangu zgjedhjet e reja duke e zgjedhur edhe Presidenten në sekondat e fundit të afatit kushtetues.
Propozimi i PDK-së për ndryshimet në ligjin për Specailen u miratua në Kuvend me 88 vota.
Ndryshimet në ligjin që kufizon kompetencat e Gjykatës në Hagë erdhën pas një zemërimi qytetar prej dy javësh protestash, që prej aktgjykimit të Gjykatës Specaile, e cila më 16 shtator i shpalli fajtorë katër ish-krerët Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi u dënuan për krime lufte me nga 13 deri në 25 vjet burgim.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit, tha se kishte “arsye të forta” të besonte se vizita e ambasadorit gjerman në Kushtetuese lidhej me ndryshimet në ligjin për Specialen.
“Prandaj, presim që arsyet dhe përmbajtja e kësaj vizite të bëhen publike sa më parë. Në të kundërtën, është e ligjshme të shtrohet pyetja nëse kemi të bëjmë me një përpjekje për të ndikuar apo për të ushtruar presion mbi institucionin tonë më të lartë kushtetues dhe, rrjedhimisht, mbi vullnetin e përfaqësuesve të zgjedhur të popullit të Kosovës”, shkroi ndër tjerash Krasniqi në një postim në Facebook të premten.
Bashkimi Europian ka shprehur shqetësim të thellë për miratimin e ndryshimeve në ligjin për Specialen, ndërsa komisionerja europiane për Zgjerim, Marta Kos tha dje se “ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara në Kosovë bien ndesh me detyrimet themelore të Kosovës ndaj BE-së”.
Në një reagim, sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku tha se zyrtarja europiane “duhet të shqetësohet për drejtësinë e procesit në Dhomat e Specializuara në Hagë, jo për ligjet që i miratojnë deputetët e Kuvendit të Kosovës si përfaqësues të popullit”.
Deputetja tha se Kosova “nuk po shkel asnjë nga detyrimet” në raport me Bashkimin Europian.














