Faqja e Kryeministrisë, disa dikastereve qeveritare, ajo e Policisë së Kosovës, platforma e-Kosova dhe shumë media elektronike, kanë qenë cak i sulmeve kibernetike javën e kaluar, raporton Gazeta Sinjali.
Qeveria e Kosovës përmes një njoftimi në faqen zyrtare, ka njoftuar se sistemet qeveritare janë ballafaquar me sulm kibernetik të llojit DDoS. Sipas njoftimit, këto sulme kanë shkaktuar pengesa të herëpashershme të qasjes në disa shërbime qeveritare.
“Gjatë periudhave të sulmit, ekipi i sigurisë kibernetike në ASHI është angazhuar maksimalisht që impakti i sulmit në qasshmërinë dhe funksionalitetin e shërbimeve të jetë sa më i vogël”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Po ashtu bëhet e ditur se në bashkëpunim me ekspertët e jashtëm dhe me aplikimin e masave adekuate, sulmi kibernetik është tejkaluar dhe janë parandaluar tentativat për vazhdim të sulmit.
Qeveria njofton se tashmë të gjitha shërbimet qeveritare janë plotësisht të qasshme dhe nuk ka pengesa në funksionimin e tyre.
” Gjatë këtij sulmi kibernetik në asnjë moment nuk janë cenuar të dhënat e ruajtura në Qendrën Shtetërore të të Dhënave në kuadër të Institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.













