Futbollisti i Kombëtares shqiptare, Rey Manaj, ka reaguar për protestat që po zhvillohen në Shqipëri, duke shprehur shqetësimin për dhunën ndaj studentëve dhe protestuesve.
Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Manaj ka theksuar se studentët janë e ardhmja e vendit dhe meritojnë të dëgjohen, ndërsa kërkesat e tyre lidhen me të drejtat, kushtet më të mira dhe mundësinë për të ndërtuar të ardhmen në vendlindje.
“Dua të shpreh shqetësimin tim për dhunën ndaj studentëve dhe protestuesve. Studentët janë fëmijët tanë, janë e ardhmja e kombit dhe meritojnë të dëgjohen. Askush nuk duhet të ushtrojë dhunë ndaj tyre, aq më pak ata që kanë për detyrë të mbrojnë qytetarët”, ka shkruar Manaj.
Sulmuesi shqiptar, krahas mbështetjes për kauzën e të rinjve, ka bërë thirrje edhe për maturi, duke theksuar rëndësinë që protestat të mbeten paqësore.
Ai ka nënvizuar se pakënaqësitë duhet të shprehen pa dhunë dhe se prona private e publike nuk duhet të dëmtohet.
















