Këshilli Gjyqësor i Kosovës në kuadër të takimit të 373-të, ka emëruar Valon Hajdini gjyqtar mbikëqyrës për degën në Skenderaj të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, raporton Gazeta Online Veriu.info.
Anëtarët e KGJK-së, bazuar në rekomandimin e Komisionit Vlerësues për intervistimin, vlerësimin dhe rekomandimin e kandidatëve, si dhe pas përfundimit të procesit të votimit, emëruan Valon Hajdinin në pozitën e gjyqtarit mbikëqyrës për degën në Skenderaj të Gjykatës Themelore në Mitrovicë.
Mandati i tij është pesëvjeçar.
Biografia e gjyqtarit Hajdini sipas njoftimit të Gjykatës:
Valon Hajdini është gjyqtar penalist në Gjykatën Themelore në Mitrovicë – Dega në Skenderaj, pozitë të cilën e ushtron që nga data 8 korrik 2022. Para emërimit si gjyqtar, ai ka qenë i angazhuar si Sekretar në Fakultetin e Edukimit në kuadër të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” nga shtatori i vitit 2019 deri në korrik të vitit 2022. Gjithashtu, ka ushtruar profesionin e avokatit në Degën Rajonale të Mitrovicës të Odës së Avokatëve të Kosovës gjatë periudhës nëntor 2016 – shtator 2018, pas përfundimit të praktikës njëvjeçare pranë së njëjtës Odë. Edukimin universitar e ka përfunduar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ku ka diplomuar më 16 shtator 2013. Provimin e Jurisprudencës e ka dhënë më 21 tetor 2016. Studimet pasuniversitare i ka përfunduar në të njëjtin institucion, në drejtimin e së Drejtës Kushtetuese dhe Administrative, ku ka fituar titullin Master i së Drejtës (LL.M.) më 12 dhjetor 2016. Në korrik të vitit 2022, ka përfunduar me sukses Akademinë e Drejtësisë. Shkollimin parauniversitar e ka kryer në Gjimnazin “Frang Bardhi” në Mitrovicë, në drejtimin e Shkencave Shoqërore.















