Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se ka zhvilluar një takim me kanceralin gjerman, Friedrich Merz, në kuadër të margjinave të Samitit të Procesit të Berlinit që po mbahet në Budva të Malit të Zi.
Në një postim në rrjetin social, Kurti ka thënë se ky takim me Merzin ka rastisur të bëhet pas vendimit të Bundestagut që ushtarët gjermanë të qëndrojnë në Kosovë në kuadër të KFOR-it.
“Me lansimin e kësaj nisme më 2014, Gjermania krijoi një hapësirë ku gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor punojnë e trajtohen të barabarta. Në këtë proces kemi nënshkruar marrëveshje për udhëtimin me letërnjoftim e për njohjen e diplomave, dhe i kemi zbatuar të gjitha. Të gjithë duhet të bëjnë të njëjtën gjë, sepse askush nuk mund ta mbajë peng rajonin.”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, investimet direkte nga Gjermania në Kosovë janë rreth 1,5 miliardë euro, duke shtuar se 62% e tyre vetëm në pesë vitet e fundit.
“Potenciali në industri, energji, transport, TIK dhe arsim profesional mbetet i madh, dhe javën e ardhshme Prishtina mirëpret Forumin e tretë Ekonomik Gjermano-Kosovar. Gjermania është pjesë e të ardhmes sonë evropiane.”, ka shkruar Kurti.

















