Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka kritikuar zhvillimet rreth Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke i dalë në mbrojtje deputetit të PDK-së, Përparim Gruda.
Në emisionin “Context” në ATV, Gjini tha se Aleanca e kishte mbështetur sinqerisht ligjin, por sipas tij, zhvillimet e fundit tregojnë se çështja nuk është trajtuar as në aspektin taktik, as në atë strategjik.
“Kjo që ka ndodhur me të vërtetë është e turpshme. As taktikisht, si çështje ligjore, as strategjikisht, nuk ka kurrfarë lidhjeje me atë që të paktën ne si Aleancë e kemi marrë shumë sinqerisht”, u shpreh Gjini.
Ai theksoi se dihej paraprakisht që ligji mund të kthehej nga njëra prej Dhomave të Gjykatës Kushtetuese të Dhomave të Specializuara, nëse do të vlerësohej se përmban shkelje.
Gjini kritikoi edhe mënyrën se si, sipas tij, po trajtohet Përparim Gruda, duke thënë se ai fillimisht ishte nxjerrë nëpër studio televizive për të folur për ligjin, ndërsa tani po lihet të përballet vetë me pasojat.
“E nxjerrin nën autobus njeriun që e nxorën nëpër studio me e bë ligjin. Le ta shkelë autobusi”, tha Gjini.
Kryetari i Aleancës shprehu shqetësimin për atë që e cilësoi si mungesë sinqeriteti në politikë dhe përpjekje për ta shfrytëzuar situatën për interesa të momentit.
Ai gjithashtu kritikoi Qeverinë e Kosovës, duke thënë se asaj iu deshën dy javë dhe priti deri në ditën e fundit për ta dërguar ligjin në Kuvend.


















