Gjatë hulumtimit për institucionet shëndetësore private që operojnë në mënyrë të kundërligjshme, me shërbime të palicencuara dhe staf ilegal (të palicencuar), kemi hasur edhe në një laborat në Rahovec që është gjobitur nga Inspektorati Shëndetësor, për shkak se në kundështim me Ligjin për Shëndetësi, lëshuar rezultate analizash pa praninë e specialistit të biokimisë klinike, ndërsa shërbimet e mikrobiologjisë dhe testet gjenetike NIFTY nuk ishin të lajmëruara dhe licencuara në organet përkatëse.
Veriu.info ka siguruar një raport të Inspektoratit Shëndetësor të Ministrisë së Shëndetësisë, të hartuar pas inspektimit të realizuar më 15 janar 2026, në institucionin privat shëndetësor “ProLab Medical Center” në Rahovec, ku janë evidentuar shumë shkelje nga ky laborator me themelues Astrit Haxhijaha.
Sipas raportit, inspektorët kanë konstatuar se rezultatet e analizave biokimike-hematologjike po lëshoheshin pa praninë e specialistit përgjegjës, ndonëse ai duhej të ishte në laborator sipas orarit të lajmëruar.
47 pacientë në regjistër, specialisti mungonte në laborator
Inspektorati ka konstatuar se në ditën e inspektimit në regjistrin e laboratorit figuronin 47 pacientë që kishin marrë shërbime laboratorike. Rezultatet e analizave ishin lëshuar me faksimil pa prezencën e biokimistit, Mr. Ph. Erblin Elezi.
Sipas raportit, orari i tij i lajmëruar ishte nga ora 16:00 deri në 20:00, ndërsa ai u paraqit në laborator rreth orës 19:30, së bashku me themeluesin e institucionit, Astrit Haxhijaha. Arsyetimi i tyre, sipas inspektorëve, ishte se kishin qenë në pauzë.


Shërbime të mikrobiologjisë dhe teste NIFTY pa lajmërim
Raporti evidenton se në laborator janë ofruar edhe shërbime të mikrobiologjisë, edhe pse specialisti përkatës nuk ishte i lajmëruar dhe licencuar në Divizionin për Licencim dhe Akreditim të Ministrisë së Shëndetësisë.
Po ashtu, gjatë kontrollit janë gjetur 17 rezultate të testeve gjenetike NIFTY, shërbime që nuk ishin të lajmëruara në DLA/MSh.
Inspektorati urdhëroi ndalimin e shërbimeve
Në përfundim të inspektimit, Inspektorati Shëndetësor ka urdhëruar ndalimin e shërbimeve laboratorike biokimike-hematologjike pa praninë e specialistit.
Po ashtu laboratorit “Prolab Medical Center” i janë ndaluar ofrimi i shërbimeve laboratorike të mikrobiologjisë deri në lajmërim dhe licencim në DLA/MSh.
Institucioni është obliguar të sigurojë praninë e kuadrit profesional gjatë orarit të lajmëruar. Raporti përmend edhe një vendim për gjobë, por po specifikuar shumën.


Ndryshe, “ProLab Medical Center” është në pronësi të Mentor Kurshumliut dhe Astrit Haxhijahës, ky i fundit është edhe drejtor menaxhues.
Veriu.info ka tentuar marrë edhe qëndrimin e “ProLab Medical Center” lidhur me inspektimin dhe gjetjet e evidentuara, por deri në momentin e publikimit të artikullit nuk kemi pranuar përgjigjet në pyetjet e dërduara.
Ndryshe, “ProLab Medical Center” është në pronësi të Mentor Kurshumliut dhe Astrit Haxhijahës, ky i fundit është edhe drejtor menaxhues.


Më poshtë gjeni pamje të realizuara me rastin e inspektimit që dëshmojnë gjetjet e evidentuara në “ProLab Medical Center”:


















