Policia e Kosovës ka njoftuar se, pas angazhimeve intensive operative dhe hetimore, si dhe bashkëpunimit me qytetarët, është lokalizuar dhe arrestuar personi i dyshuar, Albert Sylaj, i cili ishte në kërkim lidhur me rastin “vrasje e rëndë” të ndodhur më 25 tetor 2026, në fshatin Vitomiricë të Pejës.
“Arrestimi është realizuar sonte, rreth orës 23:40, në Deçan, pas veprimeve të ndërmarra nga njësitet përkatëse policore” thuhet në njoftimin e policisë.
Me këtë rast, Policia e Kosovës ka falënderuar të gjithë qytetarët për bashkëpunim e ofruar për lokalizimin e personit të dyshuar.
“Mbesim të përkushtuar në përmbushjen e detyrave ligjore në bashkëpunim me institucionet kompetente, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave të rastit.
Për veprimet e mëtejme procedurale do të veprohet në koordinim me organet kompetente të drejtësisë” deklaron policia.
Kujtojmë se Sylaj ishte në arrati që nga e diela, pasi dyshohet të ketë vrarë me sëpatë kunatën e tij, Arlinda Zekaj.
Vrasja makabre e Arlindës u krye pasi ajo ishte kthyer në shtëpinë e saj, pas denoncimit që kishte bërë për dhunë në familje, ndaj bashkëshortit, Jetonit.


















