Pronari i rrjetit spitalor “Sante Plus”, Bilal Kara, është arrestuar në Maqedoninë e Veriut, pas më shumë se një viti në kërkim nga autoritetet shqiptare. Bashkë me të është arrestuar edhe Geriana Arapi, ish-drejtuese e klinikës “International Medicare”, e cila gjithashtu ishte shpallur në kërkim.
Lidhur me veprimtarinë ilegale të spitalit të tij “Sante Plus” Gazeta Online Veriu.info kishte raportuar në fillim të këtij viti për mbylljen e tij nga Insoektorati Shëndetësor, por që pavarësisht këtij vendimi spitali vazhdonte të operonte, për të mbyllur përfundimisht pas raportimeve të gazetë sonë.
Sipas vendimit për mbyllje deri aty kishte ardhur pas ankesës së një pacienteje që kishte shkuar për të marrë shërbim mjekësor botoks por që në vend të tij balli i ishte mbushur me ujë.
Tutje në raportimin e Veriu.info theksohej se në bazë të dokumenteve të Inspektoratit kishte rrezikuar shëndetin dhe sigurinë publike, duke bërë shkelje të dispozitave ligjore në fuqi, me ç’rast e kishin zgjeruar inspektimin me qëllim të evitimit të kërcënimit për shëndetin e pacientëve. Në raport, inspektorët theksonin faktin se ata janë penguar në kryerjen e detyrave nga menaxherja e “Sante Plus”, Geriana Arapi, e cila është paraqitur edhe si stomatologe.
Pavarësisht mbylljes me vendim të Inspektoratit “Sante Plus” kishte vazhduar të ofrojë shërbime mjekësore por pas raportimeve të vazhdueshme të Veriu.info ai ishte mbyllur përfundimisht duke vendosur njoftime në objekt për lëshim me qera.
Emri i Karas nuk u bë i njohur për herë të parë pas aksionit policor të vitit 2025. Që në vitin 2023, JOQ publikoi denoncimin e Ilir Gjuzit, i cili pretendonte se kishte pasur probleme shëndetësore pas një ndërhyrjeje për mbjelljen e flokëve në klinikën “Sante Plus”. Ai kishte ngritur shqetësime për pasojat në shëndetin e tij, mungesën e dokumentacionit dhe pamundësinë për të identifikuar mjekët që e kishin trajtuar.
Në media u publikuan edhe denoncime të tjera nga pacientë, përfshirë atë të një 30-vjeçari, i cili pretendonte se kishte pësuar komplikacione pas vendosjes së implanteve dentare.
Më 4 shtator 2025, Policia dhe Prokuroria ndërmorën një aksion, gjatë të cilit bllokuan klinikën “International Medicare”, e njohur më herët si “Sante Plus”, nën dyshimet për evazion fiskal në vlerë mbi 1 milion euro.
Gjatë kontrolleve, autoritetet gjetën 27 lloje medikamentesh që dyshohej se ishin të kontrabanduara ose të skaduara. Po ashtu, u konstatua se pesë punonjës nuk ishin të siguruar. Pas këtij aksioni, Bilal Kara dhe Geriana Arapi u shpallën në kërkim.
Në dosjen hetimore ishte përfshirë edhe denoncimi i një shtetasi portugez, i cili pretendonte se kishte paguar 5 mijë e 200 euro për tri ndërhyrje estetike që, sipas tij, nuk iu kryen.
Më 28 tetor 2025, gjykata vendosi sekuestrimin konservativ të pasurive të kompanive “International Medicare” dhe “Sante Plus Group”.
Ndërkaq, arrestimi i fundit në Maqedoninë e Veriut lidhet me një hetim të veçantë, që ka të bëjë me dyshimet për abuzime në kryerjen e ndërhyrjeve kirurgjikale në sy dhe përfshirjen e zyrtarëve të Fondit të Sigurimit Shëndetësor.
















