Suela Muminoviq, ish-bashkëshortja e xhudistit kosovar Akil Gjakova, i është bashkuar protestës së organizuar sot para objektit të komunës së Pejës. Protesta u mbajt në shenjë revolte ndaj mënyrës se si Policia, Prokuroria dhe Gjykata në Pejë kanë trajtuar rastin e Arlinda Zekajt.
Muminoviq është një nga gratë që vetë ka përjetuar përballjen me këto institucione. Në vitin 2024, ajo kishte denoncuar ish-bashkëshortin e saj për dhunë në familje. Megjithatë, Gjykata e Pejës e pati liruar atë nga aktakuza, me gjithë faktet tronditëse që ishin pjesë e lëndës.

Kujtojmë se Insajderi raportoi ekskluzivisht për denoncimin që ish-bashkëshortja e Gjakovës, kishte bërë ndaj të njëjtit.
Ajo kishte deklaruar se xhudisti e kishte rrahur, kishte ushtruar dhunë psikologjike, e kishte kërcënuar dhe se nuk e kishte lejuar as të futet në banesë.
Pas raportimeve të gazetares së Insajderit, Dijellza Preniqi, Gjakova ishte shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës, ku pas disa ditësh ai i ishte dorëzuar autoriteteve dhe i ishte caktuar masa e paraburgimit. Ndërkaq, ish-bashkëshortja e tij ishte strehuar në Qendrën për Punë Sociale.
Më 19 dhjetor 2024 ndaj Gjakovës u ngrit aktakuza. Ja çfarë thuhej në të.
Aktetet e dhunës përfshijnë kërcënime verbale, dhunë psikologjike dhe fizike.
Ngjarjet janë raportuar të kenë ndodhur brenda banesës së tyre në Pejë që nga viti 2023 deri në prill të 2024-ës.
I pandehuri ka ushtruar dhunë dhe ka bërë kërcënime të tilla si: “Kam me ta nxi jetën,” dhe “Kam me të mbytë.”
Viktima, bashkëshortja e xhudistit ishte ndier e kërcënuar dhe në rrezik për shkak të dhunës së përsëritur.
Në aktakuzë përmendet se si ai e kishte grushtuar bashkëshorten e tij.
“Më parë, në vazhdimësi, e gjerë më datë 13.04.202 rreth orës 14:05 në rrugën …. në K. Pejë, pikërisht në shtëpinë e tyre të përbashkët, brenda marrëdhënies familjare, me qëllim të cenimit të dinjitetit, ushtron dhunë dhe keqtrajtim psikologjik, fizik dhe ekonomik ndaj të dëmtuarës Suela Gjakova të cilën e ka bashkëshorte, në atë mënyrë që, i pandehuri vazhdimisht ushtron dhunë psikike ndaj të dëmtuarës duke e kërcënuar e ofenduar me fjalë të ndryshme si “kam me ta nxi jetën,… kam me t’ba me fol vet me veti…. ti je psikopat…. kam me të mbyt”, e shumë fjalë tjera…“
Në një rast, asaj bashkë me fëmijën e tyre i pandehuri ia kishte mbyllur duke mos e lënë të futej në shtëpinë e tyre, dhe në atë moment kishte vendosur të padisë bashkëshortin.
“… , gjersa gjatë vitit 2023 i njëjti e ka goditë të dëmtuarën disa herë me grushta në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar lëndime, kurse ditën e fundit kur e dëmtuara shkon tek shtëpia e tyre duke dashur të futet brenda me djalin e tyre tre vjeçar, e njëjta gjenë të mbyllur derën gjersa në telefon pranon një sms nga i pandehuri me mbishkrimin “derën e kem mshel dhe jam ka ti boj gati teshat dhe po ti bij tek shtëpia jote”, ku e dëmtuara duke mos pasur ku të shkoj dhe duke e ndier vetën nën presion të rëndë psikik vendos që rastin ta lajmëroj në polici”, thuhet në aktakuzë.
Insajderi kishte kërkuar nga Gjykata që ta dërgojë edhe arsyetimin që gjyqtari Shaqë Curri ka bërë ndaj këtij vendimi, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

















