Shkruan: Ardita Dushi
Ka tragjedi që zbulojnë më shumë për natyrën e një shteti sesa vite të tëra debatesh politike. Vrasja e Arlinda Zekajt është njëra prej tyre. Jo vetëm për brutalitetin e krimit, por për faktin se ajo kërkoi mbrojtje pikërisht nga institucionet që kishin detyrimin ta mbronin.
Arlinda nuk heshti. Nuk qëndroi pasive përballë rrezikut. Iu drejtua shtetit, kërkoi ndihmë dhe insistoi në të drejtat e saj. Megjithatë, u vra.
Dhe këtu nuk ka vend për relativizim. Shteti dështoi.
Jo sepse shteti mund të parandalojë çdo krim, por sepse në këtë rast rreziku ishte paralajmëruar dhe institucionet ishin vënë në dijeni. Përgjegjësitë konkrete duhet të përcaktohen nga hetimi, por dështimi për ta mbrojtur Arlindën është një realitet që nuk mund të fshihet pas procedurave.
Në thelb, ekzistenca e shtetit mbështetet mbi një marrëveshje të pashkruar me qytetarin: individi ia beson institucioneve një pjesë të lirisë dhe sigurisë së tij, ndërsa shteti merr përsipër ta mbrojë. Kur një grua kërkon mbrojtje dhe përfundon e vrarë, kjo marrëveshje cenohet në themelin e saj.
Dhe pikërisht këtu përgjegjësia nuk është më vetëm juridike. Është politike dhe morale.
Dorëheqjet nuk janë çështje interpretimi politik dhe as kërkesë e tepruar e protestuesve. Ato janë minimumi i përgjegjësisë që duhet të marrë një pushtet kur institucionet nën drejtimin e tij dështojnë kaq rëndë.
Në Kosovë, përgjegjësia politike vazhdon të trajtohet sikur të ishte e barasvlershme me fajësinë penale. Sikur një zyrtar duhet të dënohet nga gjykata përpara se të pranojë përgjegjësinë për institucionin që drejton. Por pikërisht këtu qëndron dallimi mes pushtetit si privilegj dhe pushtetit si detyrim publik.
Dorëheqja nuk është pranim i një krimi. Është pranim se përgjegjësia për drejtimin e një institucioni nuk përfundon te dera e zyrës së ministrit.
Prandaj, kërkesat e protestuesve për dorëheqje nuk janë instrumentalizim i tragjedisë. Janë një kërkesë e domosdoshme për llogaridhënie. Sepse, nëse edhe pas një dështimi të tillë askush nuk mban përgjegjësi politike, atëherë duhet të pyesim veten se çfarë kuptimi ka ky koncept në demokracinë tonë.
Është e lehtë të flasësh për barazinë gjinore në konferenca, strategji e programe qeveritare. Është shumë më e vështirë ta dëshmosh përkushtimin ndaj saj kur kërkohet të paguhet një çmim politik.
Dhe ky është paradoksi i pushtetit tonë: kërkon besimin e qytetarëve, por kur ky besim thyhet, shpesh e konsideron ruajtjen e pozitës më të rëndësishme sesa përgjegjësinë për dështimin.
Megjithatë, tragjedia e Arlindës ka edhe një dimension më të thellë shoqëror. Ne vazhdojmë të jetojmë në një shoqëri që gruan e lartëson si simbol, por jo gjithmonë e respekton si individ. E quajmë nënë, motër, shtyllë të familjes, por ende e kemi të vështirë ta pranojmë si qenie plotësisht të lirë, të cilës nuk duhet t’i negociohet as dinjiteti, as autonomia, as e drejta për të jetuar pa frikë.
Kjo kontradiktë nuk e zvogëlon përgjegjësinë e shtetit. Përkundrazi, e bën atë edhe më të madhe. Sepse pikërisht në një shoqëri ku pabarazitë dhe mentaliteti patriarkal vazhdojnë të ekzistojnë, institucionet duhet të jenë mbrojtja më e fortë e atyre që rrezikohen prej tyre.
Shteti nuk mund të kërkojë nga gratë të denoncojnë dhunën dhe pastaj të mos u garantojë mbrojtje efektive. Nuk mund t’u kërkojë besim, ndërsa përgjegjësinë për dështimin e vet ta shpërndajë nëpër raporte, komisione dhe procedura.
Arlinda nuk kishte nevojë për solidaritetin e institucioneve pas vdekjes. Kishte nevojë për veprimin e tyre sa ishte gjallë.
Prandaj, dorëheqjet duhet të ndodhin. Jo si zëvendësim i hetimeve dhe përgjegjësisë penale, por si akti i parë i domosdoshëm i llogaridhënies politike. Sepse një pushtet që nuk pranon përgjegjësi as përballë humbjes së një jete, e ka zbrazur nga kuptimi vetë nocionin e përgjegjësisë publike.
Dhe megjithatë, përtej këtij dështimi institucional, mbetet një e vërtetë që nuk duhet ta harrojmë.
Vazhdoj të mendoj se dhuna ndaj gruas nuk fillon me shuplakën e parë. As me sharjen e parë.
Dhuna mbin shumë më herët. Në çastin kur lindja e një vajze nuk është arsye për gëzim. Madje, ndoshta edhe më herët, në momentin kur, pa e ditur ende gjininë e fëmijës, shpresojmë që të jetë djalë.
Sepse pabarazia mund të lindë përpara nesh. Por detyrimi i shtetit për të na mbrojtur fillon me jetën tonë. Dhe për këtë detyrim, askush nuk mund të lirohet nga përgjegjësia.















