Shkruan: Arianit Koci
Kuvendi voton tërheqjen nga marrëveshja. BE-ja e kundërshton. Dhomat e Specializuara, të njohura si Gjykata Speciale, vazhdojnë punën.
Të burgosurit mbeten në qeli. Arrestimet mund të vazhdojnë. Ky është një skenar i mundshëm. Çfarë bëjmë atëherë?
Konsumi politik dhe e vërteta kushtetuese
Mundësia për ta zhbërë Gjykatën Speciale me 80 vota, pa votat e pakicave, përdoret shpesh për konsum politik, ose vjen nga mosnjohja e ligjeve dhe Kushtetutës.
Për tërheqjen nga marrëveshja me BE-në duhen 80 vota. Aty nuk kërkohen votat e deputetëve të komuniteteve joshumicë.
Por për ndryshimin e nenit 162 të Kushtetutës duhen 80 vota gjithsej, ku përfshihen patjetër dy të tretat e deputetëve të komuniteteve joshumicë.
Përveç kësaj, ky ndryshim duhet të kalojë edhe në kontrollin e Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese, për të parë nëse cenon të drejtat e garantuara me Kapitullin II.
Rreziku i një kontesti të njëanshëm
Edhe nëse Kuvendi e miraton tërheqjen, ajo nuk e ndryshon Kushtetutën dhe as nuk e shfuqizon ligjin themelues. Specialja mund t’i vazhdojë gjykimet edhe pas vendimit të Kuvendit.
Në Prishtinë mund të votohet, por burimi i problemit është se BE-ja e kundërshton çdo iniciativë për ndryshim pa marrëveshje paraprake.
Kështu hapet një kontest juridik që kthehet në përplasje të rëndë politike. Rrezikojmë t’i dëmtojmë seriozisht raportet me BE-në, pa e ndalur punën e Speciales.
Shfuqizimi dhe realiteti në terren
Vendimi për tërheqje nuk i liron të burgosurit dhe as nuk i shuan urdhërarrestet. Po nëse institucionet tona refuzojnë të bashkëpunojnë?
Policia e Prokurorisë së Specializuar ka kompetenca të veta në Kosovë. Sa kohë që baza ligjore mbetet në fuqi (neni 162) ajo mund të kryejë arrestime të ligjshme, me mbështetjen e EULEX-it.
Mosbashkëpunimi i Policisë së Kosovës mund ta vështirësojë ose ta shtyjë një operacion. E nëse policia jonë urdhërohet ta pengojë aktivisht çdo operacion të Speciales, rrezikojmë përballje mes njerëzve të armatosur që zbatojnë urdhra të kundërt.
Në anën tjetër, edhe nëse personi i kërkuar nuk arrestohet në Kosovë, ai mund të arrestohet jashtë saj.
Propozimi im: Çfarë duhet bërë?
Unë besoj se mund të negociohet me BE-në. Por duhet ta dimë çfarë kërkojmë dhe me çfarë argumentesh shkojmë në tryezë. Në bisedime duhet ta shtrojmë edhe historinë politike të kësaj çështjeje.
Propozimi im është ky: institucionet të dalin me një qëndrim të përbashkët. Të thonë se cilat shkelje pretendojnë, çfarë provash kanë dhe çfarë kërkojnë të ndryshojë dhe çka është e papranueshme për Kosovën si shtet sovran dhe i pavarur.
Për secilën kërkesë duhet të përcaktohet rruga juridike. Duhet të caktohet një emisar apo i deleguar special i kryeministrit, i cili e njeh mirë këtë problematikë.
Ky emisar duhet të jetë intelektualisht i ngritur, energjik, aktiv dhe dinamik. Ai nuk duhet të ndalet asnjëherë duke lëvizur e duke lobuar në çdo shtet të BE-së.
Përfundimi i mandatit përmes diplomacisë
Me raportin e emisarit dhe me kërkesat e artikuluara, duhet të ulemi me BE-në për ndryshimet e infrastrukturës ligjore.
Atëherë bisedojmë për përfundimin e mandatit: çfarë ndodh me proceset, si mbrohen dëshmitarët dhe cilat përgjegjësi mbeten.
Vetë neni 162 parashikon një mekanizëm për përfundimin e mandatit.
Askush nuk mund të premtojë se çdo kërkesë e jona do të pranohet. Por këtë përpjekje duhet ta bëjmë.
Kosova nuk ka kohë për aventura politike që zgjasin vetëm një ditë sa për të marrë vota apo duartrokitje në Kuvend. Mbi të gjitha, popullizmi primitiv nuk i liron të burgosurit në Hagë dhe nuk e mbron shtetin tonë.
Duhet të jemi të sinqertë me qytetarët: t’i mbledhësh 80 vota në Prishtinë pa marrëveshje me aleatët është rrugë qorre. Ajo nuk e ndal Gjykatën, por e izolon Kosovën.
Shteti nuk hyn në aventura. Ai ulet në tryezë me argumente juridike, me qëndrim të unifikuar institucional dhe me emisarë që dinë të lobojnë në çdo kryeqytet evropian.
Raportet me BE-në, zhberja e Gjykatës Specialedhe kredibiliteti Kosovës, janë çeshtje jetike për shtetin tonë. Është koha të ndalen improvizimet dhe të fillojë diplomacia e vërtetë.














