Presidenti amerikan, Donald Trump, i kaloi javët e fundit të fushatës për zgjedhjet e mesmandatit në Shtetet e Bashkuara duke parashikuar se lufta me Iranin do të përfundonte “menjëherë pas zgjedhjeve”.
Tashmë votat janë numëruar dhe Partia e tij Republikane po ballafaqohet me humbje në dy dhomat e Kongresit, humbje të cilën nënpresidenti amerikan ia atribuoi konfliktit.
“Arsyeja pse humbëm ishte lufta”, tha nënpresidenti JD Vance përmes një postimi në X më 4 nëntor. Trump tha se ky vlerësim është “gjerësisht i vërtetë”, por shtoi se ai do të merrte po të njëjtin vendim sërish sepse “Irani nuk mund të lejohet që të ketë armë bërthamore”.
Kjo bën që Trump – pothuajse dy muaj para se Kongresi i udhëhequr nga demokratët të marrë kontrollin e buxhetit dhe drejtimin e komiteteve për thirrjen e dëshmitarëve – të përballet me opsione më pak të favorshme: negocim, përshkallëzim apo të mos ndërmarrë asnjë veprim.
“Demokratët nuk e marrin kontrollin sot”, tha për Radion Farda të Radios Evropa e Lirë, Shayan Samii, ekspert për sigurinë kombëtare me seli në SHBA. “Trump ka edhe dy muaj kohë për të vepruar, pa u ndikuar nga implikimet e rezultatit zgjedhor, nëse ai dëshiron që të rinisë fushatën ushtarake”.
Një president mund ta arsyetojë ndërhyrjen ushtarake duke u thirrur në çështje të sigurisë kombëtare, tha Samii. Çdo projektligj që synon kufizimin e luftës do të kërkonte nënshkrimin e Trumpit ose një shumicë prej dy të tretash në të dyja dhomat e Kongresit, Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat, për të rrëzuar veton e tij.
“Disa ekspertë besojnë se demokratët mund ta ndryshojnë rrjedhën e konfrontimit ushtarak me Republikën Islamike. Unë nuk e shoh në këtë mënyrë”, tha ai.
Skenari 1: Rifillimi i plotë i luftës
Presidenti Trump vazhdimisht ka lënë të kuptohet se mund të rinisë sulmet në shkallë të gjerë pas zgjedhjeve, teksa kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, raportohet se i ka bërë presion që ta bëjë këtë.
Një fushatë e ripërtërirë ushtarake me gjasë do të ndjekë sërish modelin e prillit, kur sulmet amerikane dhe izraelite patën për shënjestër ura, linja hekurudhore dhe infrastrukturën energjetike, teksa Trumpi kërcënoi se do t’ua vinte flakën “çdo centrali elektrik në Iran”.
Në ishullin Harg, që është terminali kryesor i Iranit për eksportin e naftës, deri më tani janë goditur vetëm objektet ushtarake. Goditja e infrastrukturës energjetike të ishullit është një hap që Uashingtoni ende nuk e ka ndërmarrë dhe që nuk i është dashur ta bëjë, pasi bllokada ndaj porteve iraniane ka bërë që eksportet e naftës iraniane të arrijnë pothuajse në zero.
Shahin Modarres, ekspert iranian i sigurisë me bazë në Romë, pret që të kalohet edhe kjo vijë.
“Fatkeqësisht, unë shoh se në të ardhmen na pret një luftë e ashpër”, tha ai për Radion Farda.
Ai shpjegoi se Uashingtoni ka vepruar në disa faza: fillimisht përmes parandalimit dhe, pas dështimit të një memorandumi mirëkuptimi në qershor – të cilin ai e përshkroi si mjaft të favorshëm për Teheranin – pasoi fushata ekonomike që përfshiu sanksione të ashpra, kufizime të fluturimeve dhe mbyllje të pjesshme të kufijve tokësorë të Iranit. Meqë ky presion nuk dha rezultate, faza e ardhshme, sipas tij, është që Teherani të detyrohet të kapitullojë.
Në këtë fazë, tha Modarres, “infrastruktura e vendit, sektori energjetik dhe sektorët ekonomikë” do të jenë të gjitha shënjestra, së bashku me atë që ka mbetur nga programet bërthamore dhe raketore të Iranit, “veçanërisht Mali Pickaxe” – që është një kompleks i fortifikuar nëntokësor pranë Natanzit, që Trump ka kërcënuar qysh në korrik se do ta sulmojë.
Synimi do të ishte që vendi të çohet drejt kolapsit, derisa Republika Islamike të dorëzohet, duke i lejuar “një shtrese të këtij regjimi” – elementeve të udhëheqjes aktuale – ta marrin kontrollin, “të paktën për një kohë”. Një dorëzim i tillë, shtoi Modarres, do të rriste ndjeshëm gjasat që sistemi të shembej tërësisht.
Por, gjatë javëve të fundit Teherani ka paralajmëruar për pasojat e një konflikti të ri.
Më 31 tetor, udhëheqësi suprem, Mojtaba Khamenei, urdhëroi komandantët që të përgatiteshin për një “përgjigje të menjëhershme, me ndikim dhe pa kufizime gjeografike” ndaj çdo sulmi të ri, si dhe ta zgjerojnë listën e objektivave.
Edhe Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) ka kërcënuar se do të shënjestrojë kabllot nënujore të komunikimit në Gjirin Persik, teksa ka paralajmëruar se në shënjestër do të jenë edhe bazat amerikane jashtë Lindjes së Mesme dhe infrastruktura energjetike në rajon.
Irani ka lënë të kuptohet se për dallim nga lufta 40-ditore, gjatë së cilës Teherani e zgjeroi konfliktin në nivel rajonal, në konfliktin e ardhshëm do të përfshiheshin edhe më shumë shtete. Rinisja e luftimeve do të shkaktonte po ashtu rritje edhe më të madhe të çmimeve të karburanteve.
Skenari 2: Një goditje e madhe dhe më pas tërheqje
Edhe pse pak i mundshëm, një rrugë e ndërmjetme mund t’i pëlqejë një presidenti që dëshiron ta arrijë një fitore, pa u angazhuar në një luftë të gjatë.
Raportimet në fund të tetorit pretendonin se administrata Trump i kishte paralajmëruar aleatët e saj në rajon se pas zgjedhjeve ishte i mundur një operacion i shkurtër dhe intensiv ushtarak kundër Iranit.
Një nga objektivat kryesorë mund të jetë Mali Pickaxe. Më pas, presidenti Trump mund të deklarojë se programi bërthamor i Iranit është dëmtuar mjaftueshëm dhe të synojë arritjen e një marrëveshjeje që do të parashihte rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, në këmbim të lehtësimit të një pjese të sanksioneve dhe shtyrjen e bisedimeve për programin bërthamor.
Besohet se pjesë të objektit gjenden 80 deri në 100 metra nëntokë, duke e bërë të vështirë verifikimin e çdo pretendimi se është shkatërruar. Komanda e ushtrisë së Iranit, Shtabi Qendror Khatam al-Anbiya, ka paralajmëruar se bombardimi i malit do të përbënte rinisje të luftës në mbarë rajonin.
Prandaj, përderisa SHBA-ja mund të shpresojë që të kryejë një fushatë të shkurtër ushtarake, Irani mund ta zvarrisë luftën me shpresën se kështu do të rrisë edhe kostot politike dhe financiare për Trumpin.
Skenari 3: S’ka luftë, s’ka paqe
Trumpi mund edhe thjesht ta vazhdojë të mbajë qëndrimin aktual, duke kryer sulme “mbrojtëse”, duke mbajtur në fuqi bllokadën detare dhe duke vazhduar shoqërimin e anijeve tregtare nga Marina amerikane nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Megjithatë, status quo-ja është e paqëndrueshme dhe presidenti i Iranit, Masud Pezeshkian, deklaroi në fund të tetorit se vendi duhet të dalë nga situata “as luftë, as paqe”.
Samii po ashtu tha se dyshon se masa të pjesshme, si sulmet e herëpashershme ndaj objekteve ushtarake në ishujt iranianë, mund të vazhdojnë për një kohë të gjatë.
Nga mesi i vitit 2027, tha ai, vëmendja e Uashingtonit do të përqendrohet te gara presidenciale e vitit 2028 dhe kandidatët e të dyja partive do të kërkojnë një zgjidhje afatgjatë për Iranin, në vend që ta trashëgojnë këtë problem.
Skenari 4: Një marrëveshje e përkohshme
Në rrafshin diplomatik, ka mundësi të arrihet një marrëveshje e kufizuar, e ndërmjetësuar nga Katari, e ngjashme me memorandumin e mirëkuptimit të nënshkruar në qershor, i cili për një kohë të shkurtër ndali luftimet dhe hoqi bllokadën, por më pas u zhbë.
Tregjet duket se po llogarisin në arritjen e një marrëveshjeje të tillë. Më 4 nëntor, çmimi i naftës bruto Brent ra nën 100 dollarë për fuçi.
Irani ka ofruar që ta rihapë Ngushticën e Hormuzit brenda dy ditësh, nëse Uashingtoni i plotëson shtatë kushtet e tij, përfshirë heqjen e bllokadës detare, lehtësimin e sanksioneve, garantimin e përfundimit të sulmeve dhe një armëpushim rajonal që përfshin edhe Libanin.
Një marrëveshje më e gjerë që do të përfshinte programin bërthamor të Iranit duket se ka më pak gjasa që të arrihet. Uashingtoni kërkon një zotim, që do të mund të verifikonte se Irani nuk do ta rindërtonte programin, teksa Teherani thotë se bisedimet bërthamore mund të nisin vetëm pasi të plotësohen kushtet e tij.
Modarres argumentoi se diplomacia dhe përshkallëzimi i konfliktit nuk e përjashtojnë njëri-tjetrin.
Ai tha se si Vance, ashtu edhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka të ngjarë të jenë kandidatë potencialë për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028 dhe, sipas tij, secili dëshiron të marrë meritat për çdo sukses dhe t’ia atribuojë tjetrit çdo dështim. Por, në thelb, ata po luajnë rolin e “policit të mirë dhe policit të keq”, duke mbajtur “një derë gjysmë të hapur” deri në momentin e fundit, “madje edhe pasi të nisë lufta”, në mënyrë që Teherani të ketë ende një mundësi për t’u dorëzuar.
Faktorët që mund t’i prishin skenarët
Disa faktorë mund t’i prishin cilindo nga këta skenarë.
Izraeli mund të veprojë i vetëm nëse vlerëson se Uashingtoni po shkon drejt një marrëveshjeje që ai e kundërshton.
Brenda Iranit, dështimi i memorandumit të mirëkuptimit të qershorit iu atribuua pjesërisht fraksioneve të linjës së ashpër, të cilat udhëhiqnin sulmet ndaj anijeve tregtare. Kjo dëshmon se një marrëveshje mund të sabotohet po aq lehtë nga Teherani sa edhe nga Uashingtoni.
Ndërkaq, Teherani tashmë po i interpreton rezultatet e zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA si konfirmim të qëndrimit të tij. Para votimit, analistët argumentonin se Irani besonte se po e fitonte luftën. Një fitore e thellë e demokratëve mund ta inkurajojë atë të rrisë kërkesat dhe të presë derisa presidenti, tashmë i dobësuar dhe me më pak hapësirë veprimi, të përballet me vështirësi edhe më të mëdha.
Dhe pastaj është vetë Trumpi.
I pyetur më 4 nëntor se kur do të përfundojë lufta me Iranin, ai dha të njëjtën përgjigje si më 27 tetor: “Kurdo që të dua unë”./REL













