Të dhënat e gjendjes bankare dhe transaksionet e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, janë shpërndarë nga një punonjës i Bankës “Raiffaisen”. Kështu kanë konfirmuar në një përgjigje nga Komuna e Prishtinës. Nga Komuna pretendojnë se një zyrtar i bankës në fjalë është qasur pa autorizim në llogarinë e kryetarit të Komunës, Përparim Rama.
Nga Zyra për Media e komunës së Prishtinës thonë se nga vetë banka në fjalë ua kanë konfirmuar se punonjësi në fjalë, është larguar nga puna pas ankesës së kryetarit Përparim Rama për një gjë të tillë.
“Kryetarit Rama i është konfirmuar se një punonjës i Raiffeisen Bank është qasur pa autorizim në llogarinë bankare të tij dhe ka shpërndarë të dhëna personale nga llogaria e tij. Për këtë shkelje të rëndë, kryetari Rama ka dorëzuar ankesë zyrtare dhe ka kërkuar sqarime nga banka. Sipas Raiffeisen Bank, punonjësi i gjinisë mashkull, përgjegjës për këtë shkelje të rëndë është identifikuar dhe është larguar nga puna”, kanë thënë për Express nga Komuna e Prishtinës.
Nga Zyra për Media kanë thënë se Përparim Rama do të ndjekë edhe rrugë ligjore ndaj bankës dhe punonjësit në fjalë, i cili, sipas Komunës, është qasur në llogarinë e kryetarit dhe ka shpërndarë të dhënat bankare, përfshirë edhe transaksionet.
“Kryetari Rama do të ndjekë rrugën gjyqësore ndaj Raiffeisen Bank dhe punonjësit përgjegjës për qasjen pa autorizim në të dhënat e llogarisë së tij bankare dhe shpërndarjen e të dhënave dhe transaksioneve. Ndaj bankës do të kërkohet përgjegjësi për shkeljen e detyrimeve ligjore për ruajtjen e konfidencialitetit bankar dhe mbrojtjen e të dhënave personale. Për veprimet e punonjësit do të kërkohet vlerësimi i përgjegjësisë penale sipas neneve 199 dhe 200 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kryetari do të kërkojë gjithashtu kompensim për dëmin e shkaktuar nga cenimi i privatësisë dhe dëmtimi i reputacionit të tij publik”, kanë thënë për Express nga Komuna e Prishtinës.
Nuk dihet nëse kjo ka ndërlidhje me hetimet që janë duke u zhvilluar ndaj Përparim Ramës nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Sipas Ligjit NR 08 L-304, Neni 142, pika 5.7, informacionet konfidenciale mund të mblidhen vetëm në rast se është e rëndësishme një gjë e tillë gjatë një procedure penale, parapenale dhe kur urdhërohet me shkrim nga gjykata kompetente apo organet e ndjekjes.















