Një 22-vjeçar shqiptar është arrestuar në Itali, pasi Policia e Shtetit ka zbuluar 5.860 gramë kokainë të fshehur në një ndarje të posaçme në veturën me të cilën po udhëtonte në autostradën A4.Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, zbulimi është bërë pranë komunës së Sonës, gjatë një kontrolli të kryer nga zyrtarët e Nënseksionit të Policisë së Autostradave Verona Sud, shkruan Telegrafi.
I riu, i cili banon në rajonin e Toskanës dhe posedon leje të vlefshme qëndrimi, po udhëtonte i vetëm në drejtim të Milanos kur u ndalua nga patrulla policore për një kontroll rutinë.Gjatë kontrollit, nervozizmi i tij dhe përgjigjet e paqarta lidhur me origjinën dhe destinacionin e udhëtimit bënë që zyrtarët të kryenin verifikime të mëtejshme.
Kokaina ishte fshehur në hapësirën e airbag-ut të pasagjeritGjatë kontrollit të automjetit, përvoja e zyrtarëve policorë ndihmoi në zbulimin e një ndarjeje të fshehur në hapësirën e dedikuar për airbag-un e pasagjerit.
Aty u gjetën pesë pako të mbështjella me shirit ngjitës. Secila prej tyre ishte e shënuar me logon e një prodhuesi të njohur të veturave, ndërsa pesha e përgjithshme bruto e substancës ishte 5.860 gramë.Analizat e kryera më pas nga Policia Shkencore e Shtabit të Policisë së Veronës konfirmuan se substanca e gjetur ishte kokainë.
I riu dërgohet në burgun e MontoriosDroga është sekuestruar, ndërsa 22-vjeçari është arrestuar nën dyshimin për posedim të lëndëve narkotike me qëllim shitjen.
Pas arrestimit, ai është dërguar në burgun e Montorios, në dispozicion të autoritetit gjyqësor. Ky i fundit, pasi e vlerësoi arrestimin, urdhëroi masën e paraburgimit.Në njoftimin e Policisë së Shtetit theksohet se, në përputhje me parimin e prezumimit të pafajësisë, përgjegjësia penale e personit të arrestuar mund të konsiderohet e vërtetuar vetëm pas një vendimi penal të formës së prerë.















