Qeveria e Albin Kurtit, ia dha Manastirit të Deçanit 24 hektarë tokë, u zotua me letër për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës ende nuk duket askund.
Më 13 mars 2024, Qeveria e Kosovës urdhëroi Agjencinë Kadastrale që të zbatonte vendimin e Gjykatës Kushtetuese për regjistrimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit.
Kurti atëherë e pranoi se vendimi po merrej për ta hequr një prej pengesave drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Madje, kryeministri tha se Qeveria kishte dy mundësi: ta zbatonte këtë vendim dhe të hapte rrugën drejt anëtarësimit, ose të mbetej pa anëtarësim.
Pas këtij vendimi, më 16 prill 2024, Kosova mori një mbështetje të fuqishme në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Me 131 vota për dhe 29 kundër, u rekomandua që Kosova të bëhej anëtare e kësaj organizate.
Por, kjo nuk mjaftoi.
Më 16 maj 2024, atëherë ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, i dërgoi letër presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Theodoros Rousopoulos.
Në këtë letër, Qeveria zotohej se do ta përgatiste draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, të frymëzuar nga propozimi i Fondacionit Friedrich Ebert, dhe do ta dërgonte në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim deri në fund të majit 2024.
Gërvalla shprehte pritjen që, pas këtij zotimi, Kosova të ftohej të bëhej anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës.
Një ditë më vonë, më 17 maj, Komiteti i Ministrave nuk e futi anëtarësimin e Kosovës në rendin e ditës për vendimmarrje.
Gërvalla reagoi duke thënë se oferta e Qeverisë për Asociacionin e kishte humbur relevancën pas këtij vendimi.
Pra, toka e Manastirit të Deçanit u regjistrua, zotimet për Asociacionin u dërguan me shkrim, por anëtarësimi nuk ndodhi.
Më shumë se dy vjet pas votimit pozitiv në Asamblenë Parlamentare, Kosova ende nuk është anëtare e Këshillit të Evropës.
Tash ministri i jashtëm Glauk Konjufca muaj më parë patikritikuar ish-emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, duke thënë se ai ia kishte vendosur Kosovës në kurriz kushtin e Asociacionit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, por sipas tij miqtë ndërkombëtarë do të na ndihmonin të hiqnim këtë kusht.














