Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, i është përgjigjur deklarimeve të Daut Haradinajt lidhur me pretendimet për blerjen e energjisë elektrike nga kompanitë serbe.
E ftuar në emisionin “Politiko” në Kanal10, Rizvanolli ka thënë se nuk ka parë asnjë fakt që dëshmon se energjia elektrike është blerë nga kompanitë e Serbisë.
Ajo ka theksuar se për kompanitë publike ka informacione të plota, ndërsa për kompanitë private të dhënat raportohen nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).
“Nuk kam parë asnjë fakt, as nga ata që po e thonë, as nga kompanitë, as nga rregullatori, që është blerë rrymë prej këtyre kompanive ose kompanive të tjera të Serbisë”, ka deklaruar Rizvanolli.
Ministrja ka kërkuar që pretendimet e tilla të mbështeten me fakte dhe bazë konkrete para se të bëhen publike.Ajo ka folur edhe për tregtimin e energjisë në bursat ndërkombëtare, duke thënë se nuk është e mundur të identifikohet lehtësisht origjina e energjisë përmes një burse, pasi energjia nuk blihet domosdoshmërisht në pako të ndara sipas shtetit të origjinës.














