Deputeti i PDK-së, Rrustem Mustafa, sot ka zgjedhur foltoren e Kuvendit të Kosovës si mundësi në përpjekje për ta arsyetuar propozimin e tij për një koalicion mes PDK-së dhe Vetëvendosjes, shkruan Veriu.info.
Dhe ai ka zgjedhur që këtë arsyetim ta bëjë në emër të aktgjykimit të Speciales kundër ish krerëve të UÇK-së.
Ai thotë se ka propozuar koalicion mes PDK-së dhe VV-së pas vendimit dënues ndaj ish krerëve të UÇK-së dhe këtë koalicion e quan koalicion për shtet.
“16 shtatori ishte moment i rëndë për Kosovën, aktgjykimi ndaj vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës na vendosi përballë një sfide të madhe juridike, historike dhe politike. Si luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës besoj se kjo çështje kërkon unitet, mbështetje juridike dhe angazhim diplomatik dhe politik. Por uniteti nuk përfundon me këtë çështje. Pikërisht për këtë kam propozuar bashkëpunim mes PDK dhe Vetëvendosjes, dhe atë e kam quajtur koalicion për shtet. E di se ka kundërshtime të shumta, disa thonë se koalicioni i tillë do t’ia zgjasë jetën politike Albin Kurtitdhe se ai duhet të sfidohet me zgjedhje. Ju kujtoj zgjedhjet 3 herë rresht një pas një i mbajtëm. Megjithatë e respektoj këtë qëndrim,” – ka thënë Mustafa.
Kujtojmë që ai është kritikuar për një qëndrim të tillë nga eksponentë politik të shumtë./Veriu.info/













