Këtë të mërkurë është arrestuar biznesmeni Rinor Konjusha i shpallur në kërkim tash e 4 vite si i dyshuar për mashtrim ndaj Telekomit të Kosovës.
Konjusha, 32-vjeç, ishte rreth 24 vjeçar në kohën kur si pronar i kompanisë ‘Smart Marketing’ nënshkroi një kontratë në vlerë 210 mijë euro me Telekomin e Kosovës për shfrytëzimin e hapësirave reklamuese të ndërmarrjes.
Kjo kontratë ishte nënshkruar mes palëve në tetorin e vitit 2018, rreth një muaj pasi kompania ‘Smart Marketing’, 100% në pronësi të Konjushës, ishte regjistruar si biznes në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK).
Telekomi dyshohet se kishte ekzekutuar 106 mijë euro në llogaritë e biznesit të të dyshuarit, pa dorëzuar asnjë shërbim.
Për këtë rast katër zyrtarë të Telekomit të Kosovës ishin arrestuar në marsin e vitit 2022 lidhur me dyshimet për keqpërdorime në këtë rast. Konjusha kishte arritur të arratisej. Ishte shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës.
Të dyshuar për këtë rast janë edhe katër zyrtarët e Telekomit: Kushtrim Jakupi, Mimoza Pireva, Shkurte Shabani dhe Fatime Jashanica, të cilët ishin ndaluar në marsin e vitit 2022.
Në kohën kur ishte nënshkruar kjo kontratë, bordin e Telekomit e udhëhiqte Besa Shatri-Berisha, bashkëshortja e deputetit të AAK-së, Bekë Berisha. Shef i ekzekutivit asokohe ishte Ramush Haradinaj.













