Gjatë interpelancës parlamentare për vdekjen e një pacienteje me kancer dhe mungesën e barnave në Klinikën e Onkologjisë, ministri Arben Vitia ka pranuar se edhe gjatë muajve korrik dhe gusht kishte pasur mungesë të barit Palbociclib.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka pranuar se pacientët e Klinikës së Onkologjisë janë përballur me mungesa të barnave që kanë zgjatur me javë të tëra, ndërsa në rastin e barit Dabrafenib, mungesa ka arritur deri në 20 javë.
Gjatë përgjigjeve në interpelancën parlamentare për mungesën e barnave onkologjike, Vitia ka përmendur disa nga arsyet që, sipas tij, kanë penguar furnizimin e rregullt të pacientëve.
Ai ka renditur mungesën e autorizimit për marketing për disa barna, mungesën e ofertuesve në procedurat e prokurimit, ofertat me çmime mbi ato të lejuara, si dhe problemet organizative.
Megjithatë, ministri ka pranuar se ka pasur edhe raste kur zyrtarët përgjegjës kanë mundur të reagojnë më herët për të parandaluar vonesat.
Për këto raste, Vitia ka paralajmëruar se priten së shpejti vendime nga komisioni disiplinor.















