Publicisti Veton Surroi ka përgenjështruar deklarimet e gazetarit Baton Haxhiu, i cili në një paraqitje televizive kishte thënë se fotografia e Josip Broz Tito ishte e vendosur në shtëpinë e nënës së Surroit në vitin 1998.
Përmes një reagimi të gjatë në Facebook, Surroi i ka cilësuar si trillime pretendimet e Haxhiut në T7, për të cilat tha se nuk janë të befasishme.
“Baton Haxhiu foli për pjesëtarët e vdekur të familjes sime, në mesin e tyre edhe për nënën time Nahire dhe dajën Zenel Kabashi. Sipas tij,unë e kam çuar në drekë në banesën e nënës time në 1998 dhe në të ka parë fotografinë e Titos e më pas ka zhvilluar edhe bisedë me të rreth fotografisë . Unë nuk e kam çuar Baton Haxhiun në banesën e nënës sime as më 1998 e as ndonjë herë tjetër. Fotografia e Titos dhe biseda me nënën time janë trillim i tij, një gjë jo e befasishme për veprimin publik të tij”, ka shkruar Surroi në reagimin e tij.
Në reagimin e tij, Surroi ka thënë se babai i Haxhiu ishte bashkëpunëtor i Shërbimit Sekret.
“Gjatë bisedës në T7 B.Haxhiu u thirr në emër të fjalëve të afërmëve të mi të vdekur që janë në pamundësi të përgjigjen. Unë nuk mund të citoj fjalët e të vdekurve për B.Haxhiun apo babain e tij. Fazli Haxhiu apo Fazli Qeli, siç njihej, nuk mund të mbrohet në të vdekur nga konstatimet se ka qenë bashkëpunëtor i Shërbimit të Sigurimit i caktuar për mbulimin e aktiviteteve kulturore. Unë kam menduar atëherë dhe mendoj sot se Baton Haxhiu nuk është përgjegjës për veprimet e babait apo familjarëve të tij. Baton Haxhiu do të duhej të ishte përgjegjës për veprimet e veta”, ka thënë Surroi.
Publicisti Surroi ka hedhur akuza të reja ndaj Haxhiut për veprimet e tij gjatë viteve ’98, ndërsa “rikthehu edhe njëherë” takimin e Haxhiut me Stanishiqin.
“Në vitin 1998 kur thotë se ka qenë në banesën e nënës sime, B.Haxhiu ka pranuar ftesën për bashkëpunim me Zoran Stijoviqin, udhëheqës në Shërbimin e sigurimit shtetëror të Serbisë për Prishtinë, në mënyrë që të hapet një kanal i komunikimit mes shefit të sigurimit shtetëror të Serbisë Jovica Stanishiq dhe Mahmut Bakalli. B.Haxhiu, në bashkëpunim me Z.Stijoviqin, ka koordinuar takimet e përfaqësuesve të Sigurimit shtetëror të Serbisë me Mahmut Bakallin në banesën e z.Bakalli në Prishtinë dhe në hotelin e Sigurimit shtetëror në Brezovicë. Në gjykimin e Sllobodan Millosheviqit në Hagë , gjatë dëshmive të M.Bakallit dhe pyetjeve të S.Millosheviqit, roli i B.Haxhiut nuk doli të jetë ai i bashkëbiseduesit të J.Stanishiqit, siç pretendon në deklarata të ndryshme. Gjatë bisedës kokë më kokë mes J.Stanishiqit dhe M.Bakallit, B.Haxhiu ka qenë në katin e poshtëm së bashku me operativët e Sigurimit shtetëror të Serbisë”, thuhet në reagimin e Surroit në Facebook.
Gjithashtu ai ka treguar se në vitin 2005, Haxhiut i ishte refuzuar dhënia e shtetësisë së Shqipërisë.
“Më 2005 Ministria e brendshme e Shqipërisë refuzoi pëlqimin për dhënien e shtetësisë B.Haxhiut. Dokumenti mbi te cilin MB vendosi refuzimin ishte i një natyre sekrete, që nënkupton marrëdhënie të një natyre të papërshtatshme me nje sherbim inteligjent jomiqësor me Shqipërinë. Refuzimi i M. të Brendshëm u tejkalua me të drejtën diskrecionale të Presidentit , pas një fushatë mediale të udhëhequr nga TV Klan”, ka përfunduar Surroi.
Në një paraqitje televizive dy ditë më parë, gazetari Haxhiu tha se në vitin 1998 kur ishte ftuar tek shtëpia e nënës së Surroit kishte parë fotografinë e Titos.
Haxhiu kishte thënë se ishte shokuar, ndërsa kishte thënë edhe fjalët që kishte marrë nga nëna e Surroit.
“Kjo Kosovë dhe unë kemi shumë privilegje prej Titos”, kishte “cituar” Haxhiu fjalët e nënës së Surroit.














