Zyrtari Policor, Korab Pepaj, është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore e Mitrovicës duke u dënuar me 3 vite burgim për vrasje në tentativë të Milan Jovanoviqit në prill të vitit 2023, raporton Gazeta Online Veriu.info.
Rasti për të cilin u dënua polici Pepaj ka ndodhur në prill të vitit 2023 ku në pikëkontrollin policor tek “Ura e Bistricës” në magjistralen Mitrovicë Leposaviq Milan Jovanoviq nuk kishte respektuar sinjalizimin e policisë për ndalim, dhe si paspjë polici Pepaj kishte shtënë ndaj tij duke e lënë të plagosur.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë ai kishte shtënë dy herë me armën zyrtare në drejtim të automjetit, duke e goditur atë nga pjesa e pasme. Si pasojë, Jovanoviqi kishte pësuar plagë nga arma e zjarrit në krahun e djathtë.
Ky aktgjykim i Themelores erdhi pasi Apeli kishte kthyer lëndën në rigjykim pas vendimit të shkallës së parë ku Pepaj ishte dënuar me 3 vite burgim sikurse sot.
Mbrojtja sot kundërshtoi vendimin duke thënë se nuk ishte argumentuar se qëllimi i policit ishte vrasje e Jovanoviqit./Veriu.info/















