Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka kujtuar 32-vjetorin e emërtimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), më 17 nëntor 1994. Ai ka bërë të ditur se ky vendim ishte marrë në qytetin Aarau të Zvicrës, ku për herë të parë mori formë zyrtare emri i UÇK-së, raporton Gazeta Online Veriu.info
Në një postim në Facebook, Ahmeti ka thënë se kjo datë ka rëndësi të veçantë historike dhe kombëtare, pasi shënoi një kthesë në organizimin e luftës së armatosur për çlirimin e Kosovës dhe një kapitull të ri në përpjekjet e shqiptarëve për liri, dinjitet dhe të drejta kombëtare.
Me këtë rast, Ahmeti ka shprehur mirënjohje për të gjithë ata që ishin pjesë e këtij rrugëtimi, duke kontribuuar dhe luftuar për çlirimin e vendit. Ai ka theksuar se 17 Nëntori mbetet një datë e veçantë për brezat që u angazhuan për idealin e lirisë.
Postimi i Ahmetit:
Sot, 32 vjet më parë, në Kryesinë e Lëvizjes Popullore të Kosovës, pas një analize të gjithanshme të situatës politike e kombëtare që kishim bërë dhe të kërkesave që vinin nga terreni, morrëm vendimin historik për emërtimin e njësive të armatosura me emrin Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK).
Atë ditë, në qytetin Aarau të Zvicrës, mori formë zyrtare emri që më vonë u bë simbol i luftës për liri, çlirim e largim të okupatorit dhe regjimit serb nga Kosova.
Për mua dhe për gjithë brezin e atdhetarëve që jetuam, vepruam dhe sakrifikuam me idealin e çlirimit kombëtar, 17 Nëntori i vitit 1994, mbetet një datë e veçantë, me peshë të madhe historike dhe kombëtare, e lidhur pazgjidhshmërisht me rrugëtimin tonë të gjatë drejt lirisë.
Emërtimi i UÇK-së, ishte një vendim me rëndësi historike, që shënoi një kthesë të madhe në organizimin e luftës së armatosur çlirimtare dhe hapi një kapitull të ri në historinë e përpjekjeve të popullit shqiptar për liri, dinjitet dhe të drejta kombëtare.
Në këtë përvjetor, me respekt të thellë dhe mirënjohje të përhershme, kujtojmë të gjithë ata që ishin pjesë e këtij rrugëtimi të madh historik, që kontribuuan, qëndruan dhe luftuan për ta shndërruar idealin shekullor të lirisë në realitet.
Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit!
Nderim dhe mirënjohje të përhershme të gjithë atyre që kontribuuan në organizimin, themelimin dhe luftën e lavdishme të UÇK-së!