Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për zhvillimet në sektorin e energjisë gjatë pesë vjetëve e gjysmë të qeverisjes së tij, duke theksuar se lufta në Ukrainë dhe konflikti në Lindjen e Mesme kanë ndikuar në furnizimin me energji elektrike dhe në inflacion.
Ai ka thënë se Qeveria ka vazhduar mbështetjen për energjinë e ripërtëritshme, efikasitetin energjetik dhe kogjenerimin, ndërsa si një nga synimet kryesore për të ardhmen ka përmendur gazifikimin e Kosovës. Sipas Kurtit, qytetarët i kanë dhënë besimin për ta shfrytëzuar këtë mundësi sa më parë.
Kurti ka bërë të ditur se Kosova synon të shfrytëzojë edhe gazin e lëngshëm që arrin në terminalin e Vlorës, në Shqipëri, përmes të cilit mund të sigurojë energji elektrike përmes interkoneksionit prej 400 kilovoltësh. Ai ka konfirmuar se Kosova tashmë ka marrëveshje me Shqipërinë për shfrytëzimin e këtij terminali.













