Një vrasje e rëndë ka ndodhur sot në parkingun e qendrës tregtare “Ben Center” në Suharekë, ku një person është vrarë me armë zjarri pas një mosmarrëveshjeje të dyshuar për vendparkim. I dyshuari, i cili fillimisht ishte larguar nga vendi i ngjarjes, është arrestuar më vonë nga Policia e Kosovës.
Veriu.info ka mësuar nga burimet e veta se i arrestuari është Rrahman Hoti, rreth 60-vjeçar, në vitin 2013 ishte i dënuar në Zvicër me 19 vjet burgim për vrasjen e bashkëshortes së tij. Ngjarja kishte ndodhur në nëntor të vitit 2011, në qytetin e St. Gallenit, ndërsa rasti kishte marrë vëmendje të madhe në mediat zvicerane për shkak të mënyrës brutale të vrasjes, raporton Veriu.info.
Vrasja në parkingun e qendrës tregtare në Suharekë
Ngjarja e rëndë që ka ndodhur sot rreth mesditës, në parkingun e qendrës tregtare “Ben Center” në Suharekë, kishte për pasojë vrasjen e një personi nga fshati Vërshec, i cili dyshohet se është qëlluar me armë zjarri nga Rrahman Hoti.
Viktima fillimisht është dërguar për trajtim mjekësor me shenja jete, por nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë.
Sipas informatave të para, dyshohet se ngjarjes i ka paraprirë një mosmarrëveshje për vendparkim. Pas të shtënave, i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes, por më pas është arrestuar nga Policia e Kosovës.
Rrethanat dhe motivi i saktë i vrasjes së sotme mbeten objekt i hetimeve.
Si e vrau bashkëshorten në Zvicër?
Më 8 nëntor 2011, në qytetin e St. Gallenit në Zvicër, Rrahman Hoti, atëkohë 44-vjeçar, kishte vrarë bashkëshorten e tij 40-vjeçare, duke i zënë pritë pranë vendit ku ajo punonte.
Sipas raportimeve të mediave zvicerane, Hoti fillimisht e kishte goditur gruan nga prapa me veturë, ndërsa ajo po ecte në këmbë. Më pas, nga bagazhi i veturës kishte nxjerrë një shufër hekuri, me të cilën e kishte goditur disa herë në kokë.
Gruaja kishte vdekur në vendin e ngjarjes. Pas vrasjes, ai kishte kërcënuar me shufrën e hekurit edhe një punëtor rrugor, i cili kishte tentuar t’i ofronte ndihmë viktimës, dhe ishte larguar me veturë, raporton Veriu.info
Hakmarrja pas ndarjes nga bashkëshortja
Sipas raportimeve të mediave zvicerane, çifti kishte jetuar i ndarë, ndërsa pas 15 vjetësh martesë, gruaja ishte ndarë përfundimisht nga Hoti gjatë verës së vitit 2011. Ajo kishte krijuar një lidhje të re, gjë që, sipas konstatimeve të gjykatës, kishte nxitur zemërimin dhe dëshirën e tij për hakmarrje.
Gjatë procesit gjyqësor, Hoti ishte përpjekur ta arsyetonte veprimin e tij edhe me Kanunin, duke pretenduar se ishte fyer në nderin e tij.
Gazeta zvicerane “Blick” kishte raportuar se gjatë gjykimit ai kishte deklaruar: “Sikur të mos ishte përzier me turkun, do të ishte ende gjallë”.
Ndërkohë, prokurori e kishte cilësuar rastin si “vrasje të paralajmëruar”. Policia e St. Gallenit kishte konfirmuar se gjatë muajve qershor dhe shtator të vitit 2011 kishte ndërhyrë dy herë për shkak të rasteve të dhunës në familje në adresën e mëparshme të viktimës.
U dënua me 19 vjet burgim, nuk dihet kur u lirua
Më 2 maj 2013, Gjykata e Qarkut në St. Gallen e kishte dënuar Hotin me 19 vjet burgim për vrasjen e bashkëshortes. Gjithashtu, dy fëmijët e çiftit ishin kompensuar me nga 35 mijë franga zvicerane.
Dënimi ishte konfirmuar në mars të vitit 2014 nga Gjykata e Kantonit, ndërsa më pas ishte lënë në fuqi edhe nga Gjykata Federale e Zvicrës, raporton Veriu.info.
Duke marrë parasysh dënimin prej 19 vjetësh, përfundimi i tij i plotë do të ishte në vitin 2030. Megjithatë, ligji zviceran parasheh mundësinë e lirimit me kusht pasi i dënuari të ketë vuajtur dy të tretat e dënimit, nëse plotësohen kushtet ligjore.
Deri më tani nuk dihet se kur dhe në çfarë rrethanash Hoti është liruar nga burgu në Zvicër, nëse lirimi ka ndodhur me kusht apo nëse është dëbuar drejt Kosovës.
Veriu.info do të vazhdojë të përcjellë rastin dhe të sjellë informacione të reja lidhur me të kaluarën e të dyshuarit dhe hetimet për vrasjen e sotme.
Vdes i plagosuri pas plagëve të marra me armë zjarri në Suharekë, dorasi i dyshuar në arrati
Ky është i arrestuari që dyshohet se kreu vrasjen në qendrën tregtare “Ben Center” në Suharekë













