“Ofertat” e Black Friday mund të jenë mashtrim, ja si t’i dalloni ofertat e rreme

Të gjithë e kemi dëgjuar joshjen e ofertave të së Premtes së Zezë (Black Friday): zbritje që duken si mundësi të jashtëzakonshme për të blerë me çmime shumë më të ulëta. Por, a janë vërtet të tilla apo gjithçka është vetëm një iluzion?

Në shumë raste, një numër gjithnjë e më i madh analizash dëshmon se jo. Madje, disa studime të viteve të fundit tregojnë se pritja për periudhën e uljeve mund të bëjë që konsumatorët të paguajnë edhe më shumë për produktet që dëshirojnë.

Komisioni Evropian, organizata amerikane për politikat ekonomike Groundwork Collaborative dhe organizata britanike për mbrojtjen e konsumatorëve Which? kanë zbuluar raste të shumta të reklamimit mashtrues të çmimeve gjatë fushatave si Black Friday dhe Cyber Monday.

Për shembull, Groundwork Collaborative analizoi 350 oferta të publikuara në Amazon gjatë viteve 2024 dhe 2025 dhe konstatoi se pothuajse 30 për qind e tyre nuk ofronin asnjë kursim real. Ndërkohë, rreth 10 për qind e produkteve rezultonin më të shtrenjta sesa gjatë muajit para periudhës së ofertave.

Amazon i ka kundërshtuar fuqishëm këto gjetje, duke pretenduar se ato bazohen në “metodologji të mangët dhe të dhëna të pasakta”, të cilat, sipas kompanisë, nuk përfaqësojnë shumicën e ofertave dhe zbritjeve të publikuara në platformë.

Kompania gjithashtu ka deklaruar se ka forcuar mekanizmat e kontrollit të çmimeve, në mënyrë që gjatë Black Friday 2026, në pothuajse të gjitha rastet, konsumatorët të përfitojnë çmimin më të ulët të ofruar gjatë 30 ditëve të fundit.

Megjithatë, këto garanci nuk i largojnë plotësisht dyshimet e konsumatorëve, thotë Elizabeth Pancotti, nënkryetare për politika, avokim dhe hulumtim në Groundwork Collaborative.

“Kur Amazon promovon një ofertë për konsumatorët, ajo duhet të ofrojë kursime reale. Konsumatorët që përpiqen të menaxhojnë buxhetin e tyre gjatë shitjeve festive duhet të jenë të sigurt se, nëse u thuhet se po përfitojnë një zbritje, ajo është e vërtetë në çdo rast”, deklaron ajo.

Megjithatë, problemi nuk kufizohet vetëm te Amazon. Në tregun online, gjithnjë e më shumë po vihet në pikëpyetje besueshmëria e çmimeve të reklamuar dhe premtimeve për zbritje.

Për fat të mirë, ekzistojnë disa hapa të thjeshtë që mund t’i ndihmojnë konsumatorët të kuptojnë nëse një ofertë është vërtet e leverdishme.

Si të shmangni ofertat mashtruese gjatë Black Friday

Përdorni platformat për përcjelljen e çmimeve

Mjete falas si Keepa dhe CamelCamelCamel mundësojnë përcjelljen e historikut të çmimeve në Amazon. Mjafton të vendosni lidhjen ose emrin e produktit për të parë se si ka ndryshuar çmimi i tij me kalimin e kohës. Këto platforma ofrojnë edhe shtojca për shfletues, të cilat e automatizojnë këtë proces.

Amazon ka gjithashtu një sistem të vetin për përcjelljen e çmimeve, por ai nuk shfaqet për të gjitha produktet. Pancotti këshillon që konsumatorët të mos mbështeten verbërisht te çmimi referues që shfaqet i vijëzuar në faqet e produkteve, pasi të dhënat e përdorura nga platforma nuk janë gjithmonë të qëndrueshme.

Mos humbni kohë duke shfletuar pafund, por besoni te vlerësimet profesionale

Dyqanet e mëdha publikojnë një numër të madh produktesh me etiketa “ofertë”, por jo të gjitha paraqesin ulje reale. Për këtë arsye, Pancotti këshillon konsumatorët të mos joshen nga shfletimi i vazhdueshëm i ofertave.

Një alternativë mund të jenë shitësit më të vegjël që ofrojnë zbritje për të gjithë artikujt, siç është ulja prej 20 për qind për çdo produkt. Megjithatë, edhe në këto raste, rekomandohet të kontrollohet nëse çmimi është vërtet më i ulët.

Konsumatorët mund t’u besojnë edhe burimeve të specializuara, si Wirecutter i gazetës The New York Times dhe Consumer Reports, të cilat analizojnë ofertat e Black Friday dhe identifikojnë zbritjet që ia vlejnë.

Meqë është pothuajse e pamundur të kontrollohet çdo produkt, rekomandohet që vëmendja më e madhe t’u kushtohet blerjeve me vlerë mesatare dhe të lartë. Për produktet e lira, ku rreziku financiar është më i vogël, konsumatorët mund të mos shpenzojnë aq shumë kohë për verifikimin e çmimit.

Provoni të përdorni VPN

Çmimet e personalizuara mund ta bëjnë të vështirë të kuptoni nëse po paguani një çmim të drejtë, madje edhe jashtë periudhave të zbritjeve.

Për ta kontrolluar këtë, mund të provoni të përdorni një shfletues tjetër, një pajisje tjetër, një rrjet privat virtual (VPN) ose të kontrolloni çmimin nga telefoni i një personi tjetër. Kjo mund t’ju ndihmojë të kuptoni nëse i njëjti produkt shfaqet me çmime të ndryshme për përdorues të ndryshëm.

Ankohuni dhe raportoni rastet e dyshimta

Ekspertët e intervistuar nuk kanë sugjeruar se Amazon po shkel ligjin, por sipas Seth Frotman, bashkëpunëtor i lartë në Qendrën për të Drejtën e Konsumatorit dhe Drejtësinë Ekonomike në Berkeley, ligjet amerikane përgjithësisht nuk lejojnë reklamimin e zbritjeve që në të vërtetë nuk ekzistojnë.

Në Bashkimin Evropian, rregullat janë më të qarta: çmimi i reklamuar si i zbritur duhet të jetë më i ulët se çmimi më i ulët i aplikuar gjatë 30 ditëve paraprake.

Frotman vlerëson se autoritetet duhet të forcojnë zbatimin e këtyre rregullave. Ai u bën thirrje konsumatorëve që të raportojnë rastet kur u ofrohen zbritje të rreme pranë autoriteteve përkatëse, përfshirë zyrat e prokurorëve lokalë, autoritetet shtetërore dhe Komisionin Federal të Tregtisë në SHBA, aty ku është e zbatueshme.

“Kur dikush ju thotë se po përfitoni një ofertë që në të vërtetë nuk ekziston, duhet të paraqisni ankesa pranë autoriteteve përkatëse. Do të nevojitet që shumë individë të ndajnë përvojat e tyre”, thotë Frotman.

JU REKOMANDOJMË