Qeveria e Republikës së Kosovës që udhëheqet nga kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar 118-vjetorin e Kongresit të Manastirit, duke nderuar atdhetarët dhe intelektualët shqiptarë që kontribuuan në njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe.
Në një njoftim të publikuar me rastin e Ditës së Alfabetit, Qeveria ka vlerësuar se alfabeti i përbashkët ishte një nga themelet e bashkimit kombëtar dhe përparimit arsimor e kulturor, raporton Veriu.info.
“Me mirënjohje kujtojmë Mithat Frashërin, kryetar të Kongresit, Gjergj Fishtën, kryetar të Komisionit të Alfabetit, si dhe Parashqevi Qiriazin, Luigj Gurakuqin, Ndre Mjedën, Shahin Kolonjën, Gjergj Qiriazin dhe delegatët e tjerë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Në këtë përkujtim, është veçuar edhe kontributi i familjes Qiriazi, klubit “Bashkimi” të Manastirit dhe shoqërive shqiptare që ndihmuan në realizimin e kësaj vepre historike.
“Nderojmë përkushtimin e Sevastie Qiriazit e të familjes Qiriazi, punën e klubit «Bashkimi» të Manastirit dhe të shoqërive e klubeve shqiptare që mundësuan këtë vepër historike”, thuhet më tej në komunikatë.
Qeveria ka theksuar se Kongresi i Manastirit dëshmoi rëndësinë e organizimit dhe të dijes në shërbim të lirisë, duke kapërcyer dallimet për një qëllim të përbashkët kombëtar.
“Dallimet u kapërcyen në emër të një qëllimi të përbashkët: që shqiptarët të mësonin, të shkruanin dhe të ndërtonin të ardhmen në gjuhën e tyre”, thuhet në njoftim.
Duke folur për përgjegjësinë e institucioneve sot, Qeveria ka vënë theksin te cilësia e arsimit publik, mbështetja për mësimdhënësit dhe zhvillimi i gjuhës shqipe në institucionet publike dhe në diasporë.
“Përgjegjësia jonë është ta vazhdojmë këtë punë me arsim publik cilësor, me mbështetje për mësimdhënësit, librin dhe shkencën, me ngritje të mësimdhënies e mësimnxënies, me kujdes për shqipen në institucione dhe me mundësi të qëndrueshme për mësimin e saj në mërgatë. Bashkimi që u ndërtua përmes shkronjave duhet të thellohet përmes dijes dhe mundësive të barabarta për çdo brez”, përfundon njoftimi i Qeverisë, e cila ka uruar Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe./Veriu.info.















