Gjykata Themelore në Gjakovë i ka caktuar një muaj paraburgim F.K.-së. Ai dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes dhe se ka sulmuar me thikë axhën e saj në fshatin Lipovec.
Sipas Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 21 nëntor, rreth orës 02:00. Gruaja ishte strehuar te familjarët e saj që më 18 nëntor, pas mosmarrëveshjeve me bashkëshortin. Po atë ditë, ajo dyshohet se kishte marrë prej tij një mesazh zanor kërcënues: “O ku je, o kom me të myt”.
Natën e ngjarjes, i dyshuari kishte shkuar në shtëpinë ku qëndronte gruaja dhe, duke bërtitur, i kishte kërkuar të dilte. Kur axha i saj doli për të biseduar, F.K. dyshohet se e sulmoi me thikë në fytyrë. Kur viktima u mbrojt me dorë, e goditi edhe në dorën e majtë dhe i preu gishtin e katërt.
Familjari arriti ta vinte nën kontroll të dyshuarin. Policia i sekuestroi atij tri thika. Të dy kanë marrë trajtim mjekësor.
F.K. dyshohet për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Lëndimi i lehtë trupor”. Gjykatësja Blerina Kurtaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për paraburgim. Masa zgjat nga 21 nëntori deri më 21 dhjetor 2026, dhe palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.














