Persona të panjohur kanë hyrë natën e së hënës në lokalet e kompanisë „M-Technologie” në fshatin Lebanë të Prishtinës. Sipas Sinjalit, ata kanë marrë nga dy kasaforta mbi 275 mijë euro.
Sipas Sinjalit vjedhja ka ndodhur më 23 nëntor, ndërmjet orës 02:00 dhe 04:30.
Hajnat fillimisht kanë thyer derën kryesore të objektit. Pastaj kanë thyer edhe tetë dyer të zyrave të ndryshme, gjithsej nëntë dyer.
Nga kasaforta në zyrën e zëvendësdrejtorit janë marrë rreth 100 mijë euro. Nga kasaforta e kontabilitetit janë marrë 175.300 euro. Shuma e përgjithshme e vjedhur arrin në 275.300 euro.
Rasti i është raportuar Policisë rreth orës 04:30 nga një person rreth 48-vjeçar, me inicialet R.P.
Në vendngjarje kanë dalë njësitë e Stacionit Policor Veriu në Prishtinë. Për shkak të përmasave të vjedhjes janë angazhuar edhe njësitë rajonale.
Prokurori i shtetit është njoftuar dhe e ka cilësuar rastin si „vjedhje e rëndë”.
Deri në publikimin e lajmit, autorët nuk janë identifikuar dhe as arrestuar. Policia vazhdon hetimet.
Kujtojmë se kompania “M-Technologie” aksionarë të saj janë familjarë të Behgjet Pacollit, Osman Pacolli, Sefedin Pacolli, Rrahim Pacolli, Afrim Pacolli, Islam Pacolli dhe Rrustem Pacolli.














