Real Madridi kishte kontaktuar dy herë drejtuesit e Bayern Munichut gjatë verës së kaluar për Michael Olisen, por jo për ta transferuar yllin francez, siç ishte spekuluar gjerësisht në media.
Drejtori sportiv i bavarezëve, Max Eberl, ka sqaruar se klubi madrilen i kishte telefonuar në dy raste vetëm për t’u distancuar nga zërat për një ofertë të mundshme prej 150 milionë eurosh për anësorin francez, përcjell IndeksOnline.
“Zyrtarët e Real Madridit na telefonuan dy herë. Por vetëm për të theksuar se nuk kishin pasur asnjë kontakt me lojtarin apo përfaqësuesit e tij”, zbuloi Eberl gjatë një takimi me tifozët, duke pranuar se kjo situatë fillimisht i kishte shkaktuar shqetësim.
“Më kujtohet që më dërgoi një mesazh, të cilin fillimisht nuk dëshiroja ta hapja, nga frika se mund të përmbante lajme të këqija”, rrëfeu ai.
Ndërkohë, Bayerni synon t’ia rinovojë kontratën e vlefshme deri në vitin 2029, por presidenti i nderit, Uli Hoeness, theksoi se klubi nuk do të nxitohet: “Gjatë sezonit do të bisedojmë me të. Nëse jo, thjesht do të presim deri në vitin 2029. Nuk jam i shqetësuar”.













