Jensen Huang, drejtori ekzekutiv i Nvidias, dyshohet se ka pranuar ekzistencën e aferave të tjera personale, për të cilat nuk ishte folur më parë, gjatë një takimi me bordin drejtues të kompanisë.
Sipas raportimit të The Wall Street Journal, rrëfimet e reja u bënë të dielën, ndërsa vetëm një ditë më vonë bordi votoi unanimisht për rikthimin e tij në krye të kompanisë.
Ende nuk dihet se sa afera të tjera ka pranuar Huang. Më herët, emri i tij ishte përmendur në lidhje me dy raste të dyshuara: një me Alice Huang, një grua që dyshohej për lidhje me shërbimet kineze të inteligjencës, por që nuk ka lidhje familjare me drejtuesin e Nvidias, dhe një tjetër me Kimberly Powell, një zyrtare e lartë e kompanisë, e cila raportohej se ishte në varësi të drejtpërdrejtë të tij.
Sipas Wall Street Journal, rikthimi i Huang në krye të gjigantit teknologjik u përshpejtua pas shqetësimeve në tregjet financiare. Investitorët nisën të shisnin aksionet e kompanive të inteligjencës artificiale, ndërsa situata thuhet se krijoi shqetësime edhe për ecurinë e sektorit të teknologjisë dhe ekonomisë amerikane.
Në këtë situatë, presidenti Donald Trump, i cili ka pasur marrëdhënie miqësore me Huang, thuhet se u kishte kërkuar bashkëpunëtorëve të tij të gjenin një mënyrë për rikthimin e drejtuesit në postin e CEO-s.
Një rol të rëndësishëm në këtë proces raportohet se pati edhe prokurori i përgjithshëm amerikan, Todd Blanche. Sipas gazetës, Blanche u kishte komunikuar Trumpit dhe zëvendëspresidentit JD Vance se Huang nuk ishte objekt i ndonjë hetimi nga Departamenti i Drejtësisë dhe se nuk kishte prova që ai kishte shkelur ligjin apo kishte rrezikuar sigurinë kombëtare të SHBA-së.
Pas këtij zhvillimi, zyrtarë të administratës Trump thuhet se kontaktuan anëtarët e bordit të Nvidia-s, duke u përcjellë informacionin se ndaj Huang nuk ishte konstatuar ndonjë shkelje ligjore.
Të hënën, bordi njoftoi rikthimin e tij në krye të kompanisë. Vendimi u shoqërua me rritje të aksioneve të Nvidia-s në bursë.
Ndërkohë, Trump reagoi me një koment ironik gjatë një interviste për CNBC, duke deklaruar: “Seksi shet, zotërinj!”














