KFOR-i ka dhënë sqarime lidhur me takimin e mbajtur në kampin “Film City” në Prishtinë me pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Serbisë, në kuadër të Komisionit të Përbashkët për Implementim.
Në një përgjigje për Express, KFOR-i ka bërë të ditur se takimi është pjesë e aktiviteteve të rregullta, të bazuara në Rezolutën 1244 të OKB-së dhe Marrëveshjen Teknike Ushtarake. Sipas tij, këto takime shërbejnë për komunikim dhe koordinim lidhur me Vijën Kufitare Administrative dhe çështjet e sigurisë.
Zëdhënësi i KFOR-it ka theksuar se takimet e tilla janë rutinore dhe mbahen në lokacione të ndryshme. Ai ka shtuar se KFOR-i komunikon rregullisht edhe me institucionet dhe organizatat e sigurisë në Kosovë, me qëllim të parandalimit të keqkuptimeve dhe tensioneve të mundshme.
KFOR-i ka ritheksuar se vazhdon të zbatojë mandatin e tij, duke kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet dhe në garantimin e lirisë së lëvizjes në Kosovë, në koordinim me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.














