
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi nuk po e përfill Komisionin parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike për raportim.
Deputetët e opozitës të martën kanë kritikuar ministrin Latifi për mungesën e tij në komision dhe për gjendjen e rëndë në shëndetësi. Derisa raporti i auditorit për Ministrinë e Shëndetësisë do të shqyrtohet vetëm në seancë plenare.
Po ashtu opozita ka vlerësuar se ministri Latifi nuk është duke e kryer punën si duhet.
Madje kryetarja e Komisionit, Hykmete Bajrami tha se në bazë të të gjeturave të shumta që janë evidentuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit për SHSKUK-në dhe MSH për vitin 2021, ka gjasë që deputetët në një seancë të radhës të rekomandojnë për shkarkimin e ministrit Latifi.
“Unë hezitoj me dhënë rekomandim një ministri për ta shkarkuar një bord, kur ministri vet nuk është duke kryer punën si duhet. Pra, ne e kemi një ministër, i cili nuk ka ardhur në Komision me gjithë konfirmimin dhe datat që ia kemi bërë të mundshme. Kështu që kur ta shqyrtojmë raportin e auditimit të Ministrisë së Shëndetësisë ka shumë gjasa që një prej rekomandimeve të plot deputetëve në seancë do të jetë ta shkarkojnë ministrin për mos punën e tij”, theksoi Bajrami.
Ndërsa, për të gjeturat në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar (SHSKUK), deputeti nga PDK-ja, Rashit Qalaj ka kërkuar nga ministri i MSH-së, shkarkimin e bordit të SHSKUK-së.
“Nëse një Bord e ka shkelur ligjin duhet edhe me dhënë përgjegjësi. Nuk është konstatim i yni politik, por i një organi profesional që ka konstatuar gjendjen. Dhe tash ne me i mbyll sytë para një shkelje të ligjit. Besoj që kemi edhe ne përgjegjësi këtu si deputet. Ne mund ti rekomandojmë ministrit për shkarkimin e bordit, por a vepron kështu apo ajo, kjo është çështje e ministrit”, theksoi Qalaj.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani nuk ka kërkuar shkarkim të Bordit të SHSKUK-së, por një vlerësim të punës së anëtarëve të këtij bordi në lidhje me 18 të gjetura.











