
Jo rrallëherë ka raste të mashtrimeve, kur të rinjtë, në mënyrë të kundërligjshme arrijnë të marrin para apo gjësende me vlerë, përmes lajthitjes. Kështu ka ndodhur së fundmi, në kompaninë “BNT” në Fushë Kosovë, ku viktimë ishte roja i objektit, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se për këtë rast tashmë është arrestuar një 24-vjeçar, A.M.., i cili është ndaluar për 48 orë, me vendim të Prokurorit të Shtetit.
Gjithçka dyshohet se ndodhur pasditen e 18 shtatorit, kur i dyshuari kishte shkuar te objekti i kësaj kompanie dhe gjatë bisedës me punëtorin e sigurimit, ka arritur që ta vë në lajthitje dhe të marrë një sasi të madhe të kabllove elektrike.
Pasi kishte kryer veprën, i riu dyshohet se ishte larguar nga vendi i ngjarjes dhe s’ishte bërë më i gjallë. Por denoncimi i punëtorit bëri që ai të kapej. Viktima raportoi në Polici rastin dhe rrëfeu detaje për të dyshuarin.
I riu u identifikua nga Policia dhe më pas u shoqërua në stacion policor për intervistim. Ndaj tij është hapur rast për veprën penale “Mashtrim” dhe i njëjti është dërguar në mbajtje .












