Me fjalimin e tij disa minutësh në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, është krenuar për së tepërmi me veten duke pretenduar se fjalët e tij bënë krerë ndërkombëtarë shtetesh t’i afrohet e ta urojnë “dy herë më shumë se Volodymyr Zelensky-n”.
Përveç këtij “urimi dyfish më të madh”, presidenti serb, ka thënë se edhe dëgjueshmëria/shikueshmëria e fjalimit të tij “ka qenë dy herë më e madhe se e Zelensky-t”.
Për ta përmbledhur në disa fjalë fjalimin e Vuçiq në OKB, ai e shtroi një pyetje të paqëndrueshme me analogji e paralele që s’tejkalojnë as veten. “Ku dallon integriteti territorial dhe sovraniteti i Ukrainës me atë të Serbisë”, ishte pyetja, që, sipas tij, i paska goditur me admirin dëgjuesit e tij.
“Fjalimi im tërhoqi aq shumë vëmendje sepse ishte ndryshe. Sepse dikush aq i vogël guxoi të tregojë të vërtetën. M’u afruan dje krerë të misioneve të disa prej shteteve më të rëndësishme për të më uruar. Ata dolën jashtë korridori për të pritur, për të më thënë se një fjalim të tillë nuk e kanë dëgjuar qe 10 vite. Edhe për nga guximi edhe gjithçka tjetër. Unë vetëm thash atë që mendova”, ka thënë Aleksandër Vuçiq para gazetarëve në New York.
Fjalimin e tij, i cili thënë më së buti ishte skandal diplomatik, dhe ku fokusi është një Ukrainë e pushtuar brutalisht dhe agresivisht, ai e quajti në “të mirën e Serbisë”.
Volodymyr Zelensky, në adresimin e tij përmes video lidhjes u dërgoi mesazh të gjithë shteteve të ashtuquajtura “neutrale” se neutraliteti i tyre është në fakt neutralitet në anën e agresorit. Madje, edhe profesor universitar të Universitetit të Beogradit, e quajtën “shuplakë ndaj Serbisë”, fjalimin e Zelensky-t.
“Mbrojtëm pozicionin tonë më me pasion dhe me argumente të mirëmenduara dhe u dëshmuam të gjithëve se s’jemi një grusht tërshërë që mund t’i ftojnë sepse ata qenkan të mëdhenj e ne të vogël”, u shpreh presidenti serb.
“Mendoj se i di relacionet në komunitetin ndërkombëtar mjaftueshëm mirë dhe ia dola të them gjithçka, dhe kjo mbeti pa kritikë publike sepse konteksti u zgjodh me kujdes, fjalët i zgjodha në aso mënyre që s’mund të mohosh faktet. Prezantova fakte, dhe jo pikëpamje politike. Disa nuk janë të lumtur për këtë. E imja është që të punojë për interesat e Serbisë dhe qytetarëve serbë”, tha Vuçiq.












