
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qëndruar në kampin Bondsteel në Ferizaj, së bashku me ministrat e Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe të Brendshëm, Xhelal Sveçla, për të nisur lidhjen e kampit me rrjetin elektroenergjetik të Kosovës.
Sipas ministrit Mehaj, kjo ngjarje do të ndihmojë në kufizimin e përdorimit të gjeneratorëve të dëmshëm të naftës.
“Sot së bashku me Kryeministrin Kurti, Ministrin Aliu, Ministrin Sveçla, Ambasadorin Hovenier, si dhe shumë personalitete tjera përuruam lidhjen e Kampit Bondsteel me sistemin e rrjetit elektrik të Kosovës. Përveç komandantit të Bondsteel-it, Kolonel Matt DiNenna në ceremoninë e sotme ishte edhe eprori i tij, gjeneralmajor James Smith.Kjo ngjarje e rëndësishme do të ndihmojë në përgatitjen e Kampit Bondsteel për të ardhmen duke reduktuar në masë të madhe përdorimin e gjeneratorëve ndotës me naftë. Prania e fuqishme e Qeverisë është dëshmi e përkushtimit të thellë të Kosovës ndaj partnerëve tanë të NATO-s dhe ndaj aleatit tonë kryesor, Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Mehaj në Facebook.











