
Avokati Arianit Koci, ka folur për Gazetën Insajderi pas lajmeve se ai u sulmua me grusht në kokë nga një person i panjohur.
Fillimisht ai tha se është mirë me shëndet, derisa theksoi se nuk ka ndonjë lëndim.
Siç bën të ditur Koci, dy personat që ishin në motor ishin të nacionalitetit serb dhe se policia po merret me rastin.
“Mirë jam me shëndet. Nuk kam asnjë lëndim. Është e vërtetë që më ka goditë njëri nga motori sa e kuptova unë ata të dy ishin të nacionalitetit serb dhe policia po merret me rastin” – tha Koci në një përgjigje për Insajderin.
Koci u godit me grusht derisa po shëtiste me biçikletë afër parkut Ulpiana, konkretisht në rrugën “Graanicë-Llapnasell”.
Sipas raportit policor të siguruar nga Klankosova.tv, Koci ka qenë në biçikletë, kur dy persona i janë ofruar me një motor dhe njëri nga ta e ka goditur me grusht në kokë.
Në raport, Koci ka thënë se dy të dyshuarit i ka parë pak para sulmit në një pompë derivatesh, e cila posedon kamera.











