Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka shkruar një status në Facebook, e në të cilën e ka quajtur Qeverinë Kurti “regjim të kuq” e dështues.
Ai ka shkruar se pushteti aktual ka dështuar në lidhje me grevën, dhe do të dënojë mëdimdhënësit me mosekzekutimin e pagës.
“Në vend të urimit për një fillim të mbarë të vitit shkollor, edhe pse të vonuar pikërisht nga qeverisja e paaftë dhe grindavece, mësuesit po privohen nga të drejtat e tyre elementare, ngase po iu ndalet buka e gojës.”, shkroi ndër të tjera ai.
Postimi i plotë
Regjimi i kuq, injorues, dështues dhe dënues.
Sot, për herë të parë në Kosovën e lirë, regjimi i kuq i dënoi mësimdhënësit grevist me ndalje të pagës.
Në vend të urimit për një fillim të mbarë të vitit shkollor, edhe pse të vonuar pikërisht nga qeverisja e paaftë dhe grindavece, mësuesit po privohen nga të drejtat e tyre elementare, ngase po iu ndalet buka e gojës.
Regjimi i kuq; nxënësit i dënoi me humbje të mësimit, prindërit me ç’rregullim të organizimit familjar, ndërsa mësuesit me ndalje të bukës së gojës.
Regjimi i kuq nuk është zgjidhje, sepse për krejt është i padrejtë.












