
Fajin për mosekzekutim të pagave për mësimdhënësit, ministrja e Arsimit, Arberie Nagavci ua ka hedhur komunave.
Sipas saj, komunat janë përgjegjëse për organizimin e arsimit parauniversitar dhe e kanë obligim të raportojnë çdo muaj në Departamentin e Thesarit në Ministri të Financave, ku një gjë të tillë nuk e kanë bërë.
Lidhur, me deklaratën e ministres Nagavci, ka reaguar drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave, Sazan Ibrahimi.
Ai, për Front Online, ka hedhur poshtë deklaratën e ministres Nagavci, duke thënë se para 10 shtatorit të gjitha komunat i kanë dorëzuar listat e pagave.
“Të gjitha komunat i kanë dorëzuar listat e pagave para 10 shtatorit dhe niveli qendror e ka obligim ligjor t’i ekzekutojë pagat prej listave të pagave që dorëzohen nga komunat e jo të ndërhyjë se kujt duhet t’i bëhet pagesa e kujt jo. Ne po shpresojmë që deri më 5 tetor kur edhe mbaron afati ligjor për ekzekutimin e pagave të merret parasysh”, u shpreh Ibrahimi.
Ibrahimi ka deklaruar se punëtorët e arsimit nuk janë paguar për muajin shtator as nga komunat e banuara me shumicë serbe, ani pse nuk kanë mbajtur grevë.
“Kam biseduar edhe me kryetarin e Parteshit dhe përfaqësues të komunave të Ranillugut dhe Novobërdës, ata nuk kanë qenë në grevë por nuk kanë marr as pagat”, potencoi Ibrahimi për Front Online.
Ndryshe, Sindikata e Bashkuar, Arsimit, Shkencës dhe Kulturës i ka dhënë afat Qeverisë deri nesër për procedim të pagave. Në të kundërtën ata kanë thënë se do ta mbledhin anëtarësinë dhe do të vendosin për veprime të tjera.












