Sot, 5 tetor, është afati i fundit që të ekzekutohen pagat për punëtorët e arsimit.
Kështu kanë thënë nga SBASHK-u, derisa presin që pagat të dalin sot, pasi asnjë punëtor i arsimit nuk ka marrë pagë deri tani.
Dje Luljeta Boshnjaku nga Këshilli Grevist tha për Gazeta Blic që do të presin që pagat të ekzekutohen me 5 tetor dhe nëse nuk ekzekutohen, do të shohin për veprimet që do të ndërmarrin.
Nga SBASHK-u nuk është përjashtuar as vazhdimi i grevës. Por, hapi i parë sipas kryetarit Jasharaj, do të jetë kallëzimi penal ndaj ministrit Murati.
Në anën tjetër, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka deklaruar për Gazeta Blic se nuk do të ketë paga për ata që nuk kanë punuar.
Ndërsa, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, dje përmes një postimi në Facebook, ka thënë se komunat nuk i kanë dërguar listat në Thesar dhe se nuk do të paguhet puna e pa bërë.
Në anën tjetër, disa nga kryetarët e komunave për Gazeta Blic e përgënjeshtruan ministren Nagavci, derisa thanë se ajo nuk është e informuar saktë, pasi listat janë dërguar nga të gjitha komunat sikur çdoherë tjetër, siç janë procedurat, por që asnjë punëtor i arsimit nuk është paguar, as mësimdhënëset që janë në pushim të lehonisë, që janë pensionuar në këtë kohë apo që ata që janë në pushim mjekësor, e të cilët nuk kanë qenë në grevë.
Ata po ashtu thanë se fajin e ka ministrja e jo komunat dhe se mësimdhënësit janë punëtorë të komunave, me të cilat kanë kontratë dhe jo me qeverinë.
Kundër qeverisë për mos ekzekutimin e pagave kanë dalë edhe 7 deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilat kanë kërkuar që ministria t’i ekzekutojë ato për mësimdhënësit.
Mbetet të shihet nëse sot pagat për punëtorët e arsimit do të ekzekutohen, e nëse jo, mbetet të shihet se si do të veprojë SBASHK-u./Gazeta Blic/












