Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka përgëzuar Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë për aksionin Brezovica, ku propagonist është dhëndrri i Liburn Aliut, Berat Lahu. Nuk dihet nëse Sveçla ka harruar apo nuk mërzitet që ndër të arrestuarit për rastin Brezovica është i afërm i bashkëpartiakut të tij.
Përmes një statusi në rrjetin social, Facebook, Ministri Sveçla përgëzoi instuticionet për luftën e pakompromis ndaj krimit.
“Përgëzoj Policinë e Kosovës, Prokurorinë dhe të gjitha institucionet tjera për realizimin e suksesshëm të aksionit të radhës në luftën e pakompromis ndaj krimit, korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare, në aksionin ‘Brezovica’ pas vlerësimit të raporteve nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë, Agjencia Kadastrale e Kosovës dhe Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës” – shkroi Sveçla.
Ministri ndër tjerash paralajmëroi që lufta ndaj zhvatësve të pasurisë publike do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme.
“Lufta jonë ndaj krimit, korrupsionit dhe zhvatësve të pasurisë publike do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme me të gjitha angazhimet e plota të organizmave tanë institucional në mbrojtjen efektive të së përbashktës“- shkroi tutje Sveçla.












