
Rastet e ngacmimeve, sulmeve e dhunimeve seksuale kanë marrë përmasa të frikshme në vend.
Në shumë prej rasteve të tilla, viktima janë vajzat e mitura, të cilat po keqpërdoren seksualisht edhe nga bashkëmoshatarët, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë dyshohet të ketë ndodhur mbrëmë në rrugën “Hamdi Hajrizi” në Vushtrri dhe viktimë është një vajzë 15-vjeçare, që është dhunuar nga një 17-vjeçar.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se rasti u zbulua pasi babai i viktimës e raportoi vajzën si të zhdukur. Kur Policia u aktivizua për ta kërkuar, e mitura ishte kthyer në shtëpi dhe ka rrëfyer se ka qenë me të dashurin e saj L.G.
Si rezultat i denoncimit, palët janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar nga hetuesit policorë në praninë e prindërve.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të iniciohet rasti si “Dhunim”.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës, ka miratuar sot ndryshimin në Kodin Penal, përmes së cilit parashihen dënime më të ashpra për të dënuarit për dhunë në familje, sulm seksual dhe për dhunimi.











