
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka dhënë përgjigje konkrete se kur pritet që qytetarët e komunave me shumicë serbe në veri të vendit të nisin të paguajnë rrymën.
Në një konferencë për media në lidhje me krizën energjetike, ai tha se po tentojnë që këtë çështje ta zgjidhin me sa më pak dëme, ndërsa shtoi se strukturat paralele janë ato që po e imponojnë këtë padëgjueshmëri ndaj Republikës së Kosovës.
“Në veri konsumohet energji elektrike dhe nuk paguhet. Ne e kuptojmë të drejtën për furnizim, por ajo që shpenzohet duhet edhe të paguhet. Dhe para gati një dekade, kjo çështje është politizuar dhe ka pasur edhe marrëveshje në Bruksel që nuk është zbatuar. Ne e kemi trashëguar këtë situatë, por jam i bindur që arsyeja e mospagesës lidhet edhe me strukturat ilegale të Serbisë atje, sepse unë besoj që qytetari i zakonshëm serb është i vetëdijshëm që duhet të paguajë. Por aty ka disa struktura që imponojnë interesat e tyre dhe organizojnë njëlloj padëgjeshmërie ndaj Republikës së Kosovës. Ne po përpiqemi që me sa më pak dëme t’i japim epilog kësaj çështjeje”, u shpreh Kurti, raporton Zeri.info. I pyetur edhe një herë konkretisht se kur pret që të fillojë pagesa nga banorët e veriut, Kurti nuk u përgjigj.











