
Persona të ndryshëm synojnë të përfitojnë financiarisht me premtime boshe se në këmbim të parave, mund t’u sigurojnë qytetarëve një vend pune nëpër institucione të ndryshme. Pre e një mashtrimi të tillë ka rënë edhe një qytetar i komunës së Prizrenit, i cili pagoi shumë të majme parash që vajza e tij të punësohet në një spital publik në Beograd.
Qytetari nga Prizreni bashkë me bashkëshorten e tij shkuan në derë të Policisë së Kosovës në Mitrovicë të Veriut, ku denoncuan një person të cilin e identifikuan me emër e mbiemër se i njëjti i ka mashtruar dhe u ka marrë atyre 4 mijë euro.
Sinjali mëson se i gjithë pazari u bë që vajza e viktimës të punësohet në një spital në Beograd dhe për këtë duhej paguheshin mijëra euro.
Viktima ka deklaruar se të dyshuarit i ka dhënë një pjesë të parave në muajin janar, e më pas i dyshuari i kishte kërkuar edhe pjesën tjetër. I dyshuari vazhdonte me premtimet e tij se vajza do punësohet në spital, mirëpo puna nuk po kryhej ende gjë e cila e bëri viktimën të dyshojë se gjithçka është mashtrim.
Me të kuptuar se u mashtrua, prizrenasi filloi të kërkojë që t’i ktheheshin mbrapsht paratë e tij. Por kjo nuk ndodhi, prandaj u detyrua që rastin ta denoncojë në organet e rendit.
Policia ka marrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe arrestimin e të dyshuarit.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Mashtrim’.












