Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, e ka quajtur mashtrues e zhvatës të mërgimtarëve kryeministrin Albin Kurti.
Krasniqi në një postim në rrjetin social “Facebook”, ka shkruar se nga 1 qershori, deri më 31 gusht 2022 në Kosovë kanë hyrë më shumë se 222 mijë vetura me mërgimtarë dhe sipas tij rimburësimin e polisës së sigurimit, e kanë marrë vetëm 8 mijë e 845 prej tyre.
Postimi i plotë i Krasniqit, pa ndërhyje:
Nga 1 qershori deri më 31 gusht 2022 në Kosovë kanë hyrë 222,274 vetura me mërgimtarë. Të gjithë, pa përjashtim, kanë paguar polisën e sigurimit në kufi.
Për shkak të procedurave të komplikuara burokratike që i ka vendosur Qeveria, vetëm 11,923 mërgimtarë kanë aplikuar për rimbursim, ndërkaq, deri sot, vetëm 8,845 prej tyre kanë përfituar rimbursimin.
Kur nuk ka nevojë për votën e tyre, ky është trajtimi dhe mendimi i vërtetë i Qeverisë së Albin Kurtit për mërgimtarët. Injorimi në kërkesa, mashtrimi në premtime dhe zhvatja e pasurisë së tyre.













