Në seancën e djeshme të Kuvendit Komunal të Vushtrrisë, njëra ndër pikat e rendit të ditës ishte edhe shqyrtim-propozimi i vendimit për caktimin e lokacionit për ndërtimin e një lapidari në Pasomë. Kjo pikë është miratuar me shumicë votash.
Mirëpo, edhe pse ishte pikë jopolitike, çuditërisht disa nga asambleistët e LDK-së e kanë lëshuar seancën, duke mos marrë pjesë në votimin për këtë pikë të rendit.
Veriu.info mëson se me rastin e votimit të kësaj pike seancën e kanë lëshuar Adnan Lahu – shef i grupit të asamblistëve të LDK-së, Shkelzen Xhafer – asamblist dhe anëtar i Kryesisë së LDK-së në Vushtrri dhe asamblistja Gentiana Rama, që është motra e Diellza Ramës, ish asistentës së ish kryetarit Xhafer Tahiri.
Burime nga Kuvendi Komunal bëjnë të ditur se kundër propozimit për caktimin e lokacionit për ndërtimin e lapidarit në Pasomë kanë votuar dy asamblistë të LDK-së dhe asamblisti i Listës Serbe, Spasoje Stefanoviç.












