Kryeministri Albin Kurti ka reaguar sërish në lidhje me vendimin e ri për targat.
Kurti përmes një postimi në Facebook sqaroi tri etapat e këtij vendimi, përcjell “Veriu.info”.
Krahas kësaj, kryeministri vlerësoi se Qeveria e Kosovës ka treguar vendosmëri për zbatimin e vendimeve dhe përkushtimin në në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend.
Postimi i plotë
Në mbledhjen e dytë të Qeverisë këtë javë, qartësuam zbatimin e vendimit për targa, që nis me 1 nëntor.
I ndarë në tre etapa dhe shkallë, zbatimi fillimisht nisë me masën e dhënies së vërejtjes deri më 21 nëntor. Pastaj me masën e gjobitjes nga 21 nëntor 2022 deri më 21 janar 2023.
Nga 21 janari 2023 deri më 21 prill 2023 do të vendosen targat provuese për veturat me targa ilegale. Ndërkaq pas datës 21 prill të vitit 2023, nuk do të lejohet qarkullimi i veturave me targa ilegale.
Në këtë mënyrë kemi treguar vendosmërinë për zbatimin e vendimeve tona dhe përkushtimin e kontributin tonë në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend, e që ishte edhe brengë e partnerëve e miqve tanë ndërkombëtarë. Jemi të bindur se sundimi i rendit e ligjit dhe paqja e siguria shkojnë e mirëmbahen bashkë.













