
Ish-dërguari special i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka bërë me dije se demokratët dhe republikanët janë të frustruar me veprimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Në një intervistë për gazetën Nacionale, ai ka thënë se tani edhe administrata Biden po e shpreh hapur zhgënjimin me Kurtin.
Grenell ka thënë se shumicës së amerikanëve iu mungon ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
“Njerëzit në Kosovë që e mbështesin Kurtin si kryeministër duhet ta kuptojnë se edhe republikanët e edhe demokratët në Amerikë janë shumë të frustruar me lidershipin e tij dhe me refuzimin e ideve amerikane. Sot, ne shohim bile edhe Administratën Biden që lëshon deklaratë direkte ku shpreh zhgënjimin e saj. Po ashtu, mendoj se shumicës së amerikanëve iu mungon Hashim Thaçi”, ka thënë Grenelli.
Në këtë intervistë, ish-diplomati amerikan ka thënë se nuk ka asgjë personale me kryeministrin Kurti.
“Jam takuar me Kurtin disa herë dhe më pëlqen si person – ai është gjithnjë miqësor e i këndshëm me mua por gjithnjë i thotë JO propozimeve amerikane. S’ka nevojë të jemi miq personalisht por duhet të jemi aleatë”, është shprehur ai.










